“Duhet të ishte kryetari i Bashkisë”- Erion Veliaj në burg, Rama në prezantimin e pr.buxhetin për Tiranën: S’ka për çfarë na vjen keq, të ecim përpara

Nov 15, 2025 | 10:36

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin dhe degjesën publike për Projekbuxhetin 2026 për Tiranën.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se nuk është normale të jetë ai pjesë e diskutimit, duke theksuar se duhet të ishte kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt.

“Nuk është normale të jem pjesë e diskutimit për buxhetin e Bashkisë duhet të ishte kryetari”, u shpreh Rama.

Por, Kryeministri shtoi se “Por s’ka për çfarë na vjen keq duhet të ecim përpara”.

Edi Rama: I fituam zgjedhjet me rezultatin më të mirë historik për PS. Nuk është normale të jem pjesë e diskutimit për buxhetin e Bashkisë duhet të ishte kryetari. Është për të ardhur keq.

Por s’ka për çfarë na vjen keq duhet të ecim përpara. Çfarë nuk thuhet në këtë vend. Kur Kryetari i Bashkisë u mor nga zyra për tu mbyllur në qeli pa gjyq, ngrita zërin për një proces të drejtësisë që është disproporcionale.

Cilado qoftë arsyeja pse drejtësia heton kryetarin e Bashkisë janë të pamjaftueshme sa kohë kryetari i Bashkisë nuk ka vrarë njeri për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur. Gjithsesi drejtësia është e pavarur.

Pastaj në të gjithë shkallët ku kryetari kërkoi hetimin në gjendje të lirë e humbi, dhe kur u ezauruan të gjitha shkallët ishte gjëja më normale të mendohej për qytetin e njerëzit që kanë edhe ata një të drejtë shumë të madhe themelore, për t’u qeverisur nga të zgjedhurit e tyre. Për këtë ndërmorëm hapin tjetër, që të hapim rrugën e zgjedhjeve në bashki. Jo për të fajësuar kryetarin e bashkisë dhe as i lidhur me faktin se mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat, por lidhur me faktin që kryetari në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në një problem gjithmonë e më të madh për qytetin.

Asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që t’a drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë nuk ia dolëm sepse Kushtetuesja refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë.

Vendim që ne e respektojmë, madje s’kam asnjë arsye të besoj se GJK ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin që kur kryetari i bashkisë shkon atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhur.

Atëherë ta kthejë në zyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë e më e vështirë për kryeqytetin.

© Panorama.al

Te lidhura