Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u përplas me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për interpelancën që kishte kërkuar me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit ia ka deleguar ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
Teksa mori fjalën, Shehaj hodhi akuza, teksa tha se Rama nuk e ka më hallin në Kuvend, por te Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë.
Pasi Peleshi i kërkoi që të fliste për rendin e ditës, Shehaj i tha se nuk mund të sillet si avokat i Ramës dhe Ballukut. Ai tha se duhet që të flasin për vjedhjen e 50 milionë eurove me një SMS nga Balluku për tunelin e Llogarasë. Peleshi i thotë se duhet të flasë mirë dhe të mos ia ngrejë zërin.
Pjesë nga diskutimi:
Agron Shehaj: Kërkova me kryeministrin dhe jo ministren e Brendshme. Më thoni në cilin nen është shkruar në rregullore që kryeministri mund të shmangë interpelancën. Unë e kuptoj shqetësimin e Taulantit, sepse në fakt fati i këtij vendi dhe kryeministri nuk është më i përqendruar në Kuvend se fati po vendoset diku tjetër. Kryeministri ka halle më të mëdha për të zgjidhur se të dalë në një interpelancë për një çështje që ka të bëjë me jetën e përditshme. Ka hallin e Ballukut, është hall i madh, i jashtëzakonshëm.
Imagjino sot Rama ishte në një event me paturpësinë më të madhe, çmenduri. Ka dalë në 30 vjetorin e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe po mburrej për arritjet e kësaj qeverie në luftën kundër korrupsionit. Çmenduri, problemi është që Rama dhe kjo maxhorancë kanë humbur moralin, fabulën. Janë bërë të pabesueshëm. Kanë dalë përgjime ku Belinda, vartësja e Ramës si fillim anulon një tender dhe më pas del që mbyll një kontratë me një kompani turke para se të rihapej tenderi. Dhe më pas përgjimi i fundit ku Balluku shpall fitues atë kompani që thuhet në përgjime që kanë pranuar kushtet e kontratës.
Niko Peleshi: Jeni jashtë kërkesës. Respekto rregulloren. Mund të jesh edhe prokuror, gjyqtar, e të shpallësh dënime, mund të jesh edhe ekzekutor. Por jo në këtë sallë.
Agron Shehaj: Jo mund ta ktheni rolin tuaj si drejtues të kuvendit në avokatin e Ballukut dhe Ramës por ju nuk jeni këtu për të gjykuar se çfarë them unë. Por për te respektuar se çfarë thotë rregullorja.
Niko Peleshi: Me mua mos e ngri zërin. Kujdes fjalët që përdor se askush nuk ta ka borxh të tregosh me gisht. Patjetër që jam përgjegjës edhe për çfarë flet kur flet jashtë rregullores.
© Panorama.al












