Protesta masive e ditës së sotme u shoqërua me një pjesëmarrje më të madhe nga ditët e kaluara dhe më e zëshme, ndërsa u lexuan nga folësit edhe kërkesa për dorëheqjen e qeverisë dhe Edi Ramës, të pasuar me 10 pika të një manifesti.
Ishte një nga qytetarët, student në Gjermani, që bëri leximin e tyre nga podiumi, mes të cilave qeveria tranzitore, burgosjen e Ramës dhe Berishës, krijimin e ministrisë së Diasporës, hetimin e ngjarjeve më të mëdha dhe skandaleve nga drejtësia.
“Duam qeveri tranzitore, nga ajka e kombit. Rama dhe Berisha ta qajnë lirinë. Protesta të zgjerohet, të bëhet më masive. Shqipëria e shqiptarëve. Rama në burg, Berisha në burg.”, tha ai mes të tjerash.
Një tjetër pikë ishte marshimi edhe para selive të vjetra.
“Të protestojmë dhe marshojmë edhe para selive të partive të vjetra, PD dhe PS”, vijoi ai.
Gjithashtu kërkoi edhe ngritjen e ministrisë së Diasporës dhe hetimin e ngjarjeve të rënda.
“Të ngrihet Ministria e Diasporës. Drejtësia të hetojë ngjarjet më të mëdha, si Gërdeci, 21 Janari, inceneratorët”, tha ai.
Dhe më tej theksoi se:
“Ka ardhur koha që këtë lëvizje ta çojmë në një stad tjetër. Institucionet e sigurisë të mbrojnë integritetin e Shqipërisë, sepse vendi po hyn në gjendje të jashtëzakonshme, SPAK të hetojë në mënyrë të pavarur Ramën, për përdorimin e zonave publike e strategjike. Të hetohen Sali Berisha e familja e tij. Të hapen dosjen. Ky uzurpator non grata duhet të lërë postin e opozitës. Opozita është këtu. Kryepaloço dje tha se Shqipëria është e mikut. Sipas INSTAT numri i shqiptarëve të larguar është i lartë. Ai ju thërret delirantë. Unë them se ka ardhur koha që Rama dhe Saliu ta qajnë lirinë. Sovrani të mobilizohet dhe të kërkojë një qeveri teknike. Ministrat dhe ekipet e tyre, duhet të jenë ajka e popullit shqiptar”, tha ai.
© Panorama.al











