Dritan Minxolli: Patrik Henri duhet të japë llogari

Apr 26, 2011 | 11:20

“Patrik Henri duhet të ishte në këtë sallë si i pandehur ose si dëshmitar”.Kërkesa u shqiptua në seancën e djeshme gjyqësore të dosjes “Gërdeci”, në Gjykatën e Tiranës nga ana e të pandehurit Dritan Minxolli. Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, shpërthimi i së cilës më 15 mars 2008 vrau 26 persona e plagosi rreth 300 të tjerë, deklaroi në seancë kundërshtitë e tij në lidhje me pozicionin e ish-administratorit amerikan të “SAC-Albademil”, Patrik Henri dhe specialistëve të tjerë amerikanë, ish-punonjës në Gërdec. Duke komentuar deklarimet e shtetasve amerikanë për Prokurorinë, Minxolli tha se “në deklarimet e tyre pala amerikane, në tërësinë e saj të pozicionuar menjëherë si dëshmitarë nga organi i akuzës shqiptare, janë fshehur të gjithë, si grup me të njëjtën nënshtetësi, pas makinerive dhe disa lojëra fjalësh që Akuzës shqiptare i ka ardhur për shtat t’i besojë”. Sipas Minxollit, “ky grup burrash, me deklarimet e tyre herë ndihmojnë njëri-tjetrin, duke aluduar dhe gënjyer në bllok, e herë tradhtojnë aleancën dhe bashkëpunimin midis tyre, duke dashur t’u hapin probleme eprorëve, bashkëpunëtorëve dhe njëri-tjetrit”.
HENRI
Referuar deklarimeve të amerikanëve, Minxolli hodhi poshtë pretendimet e administratorit teknik të SAC-Albademil, Patrik Henri dhe të specialistit amerikan Rodney Taylor se SAC interesohej dhe përgjigjej vetëm për funksionin e makinerive demontuese në fabrikë. Kjo, pasi, sipas Minxollit, Patrik Henri kishte sjellë specialistë nga Amerika, që përveç detyrës së “mbikëqyrjes” së instalimit të makinerive dhe rrjedhën normale të punës, do të kishin edhe detyrën e “mbikëqyrjes së ‘sigurisë së procesit teknologjik’ në tërësinë e tij dhe trajnimin e punëtorëve në fabrikë”. “Pohimi i specialistit të SAC, Sidney Macintyre, në formën e deklarimit hedh poshtë dhe pretendimet absurde të organit të akuzës dhe deklarimet e Patrik Henrit gjatë fazës së hetimeve paraprake se SAC ia ka kaluar të gjitha detyrimet e ‘sigurisë’ së procesit teknologjik Albademil-it, ku ai vetë personalisht është bashkëpronar, duke harruar-anashkaluar, me dashje besoj, faktet se administratori i vetëm i SAC, Patrik Henri, lodhi në mënyrë të vullnetshme dy kontrata të rregullta ligjore me Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare. Kontrata që e ngarkonin me përgjegjësi të madhe si administrator i vetëm i SAC, përgjegjësi të cilat nuk mund të transferonte pa pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë dhe vetes së tij, në këtë rast kompanisë ‘Albademil’, pasi këto përgjegjësi ishin ekskluzivitet i tij”, u shpreh Minxolli. Gjithashtu ai shtroi pyetjen: kur nuk kishte përgjegjësi për mbikëqyrjen e përgjithshme të procesit teknologjik në fabrikë, SAC dhe vetë Patrik Henri, pse i solli specialistët e SAC për mbikëqyrje? Më parë, Minxolli tha se në projektin e parë të demontimit në Gërdec, instalimi i makinerive ishte bërë nga kompania “Howell”, e drejtuar nga David Hoëell, i cili ishte kontraktuar nga SAC.
DELIJORGJI
I pandehuri Minxolli “shfajësoi” dje të pandehurin tjetër në proces, Mihal Delijorgji, nga përmendja e emrit të këtij të fundit në deklarimet e amerikanëve. “Sidney Macintyre gënjen kur thotë që Delijorgji ka pasur konflikt me kolegët e tij, apo akoma më keq, se po ndërhynte në punën dhe detyrat e specialistëve amerikanë në fabrikë. Deklaroj se nuk ka pasur kurrë një konflikt të tillë. Mihal Delijorgjin, administrator financiar, ortaku i Patrik Henrit, nuk e lidhte puna fare me çështjet teknike të procesit teknologjik që zhvillohej në fabrikë, si gjatë projektit të parë, ashtu dhe gjatë projektit të dytë”, tha Minxolli.

Ish-kreu i MEICO-s kërkon Henrin: Të vijë në gjyq

TIRANE – Paraqitja në proces e amerikanit Patrik Henri, ish-administratorit teknik të SAC-Albademil, u kërkua dje edhe nga avokati i të pandehurit Ylli Pinari. Menjëherë pas deklarimit të të pandehurit Dritan Minxolli, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Pinari, Bashkim Asllani, pretendoi se nga ana e Henrit ishin thënë fakte të pavërteta, që preknin interesat e klientit të tij. “Kërkojmë që Patrik Henri të vijë para trupit gjykues dhe të japë shpjegime”, u shpreh avokati Asllani. Pak seanca më parë, kryesuesi i seancës së “Gërdecit”, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi para palëve letër-porositë e ardhura nga autoritetet amerikane të Drejtësisë në lidhje me njoftimin e 5 dëshmitarëve, shtetas amerikanë. Sipas gjykatës, katër nga dëshmitarët kishin marrë njoftim, mes tyre edhe dëshmitari Patrik Henri. Po sipas gjykatës, dëshmitarët që kishin marrë njoftim kishin refuzuar të paraqiteshin në Gjykatën e Tiranës.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura