“Do ta spastroja etnikisht Kosovën!”- Deklarata e ministres serbe, raportuesi i PE: E turpshme! Ka shkatërruar besimin e dialogut

Jul 16, 2026 | 22:52

Deklarata e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të forta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.

be

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, e ka cilësuar deklaratën si të turpshme, duke paralajmëruar se ajo dëmton rëndë besimin në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Një deklaratë e turpshme nga një ministre e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Terras në rrjetin social X.

Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se deklarata e Paunoviqit është adresuar zyrtarisht në Bashkimin Evropian.

Sipas Bajramit, deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe cenon seriozisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe minon seriozisht dialogun, besimin dhe procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai.

Deklarata e Paunoviqit ka ngjallur reagime të shumta nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët e kanë cilësuar atë si gjuhë të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe pajtimit në rajon.

© Panorama.al

Te lidhura