
Diskutimi në lokal për tritolin e vendosur në shtëpinë e tij, e shtyn të godasë e të kanosë dy të rinj.Brijan Syzo, 20 vjeç nga Pogradeci, është vënë në procedim penal në gjendje të lirë, pasi është denoncuar për kanosje dhe dëmtime të tjera me dashje. Kanë qenë dy të rinj nga ky qytet, një djalë i moshës 18 vjeç dhe një vajzë e moshës 19-vjeçare ata që kanë denoncuar në komisariatin e policisë Syzon, djalin e shefit të shtabit të PS-së në fushatën e Pogradecit dhe drejtoreshës së Tatimeve. Ata janë paraqitur në komisariat pasditen e së martës, ku kanë dëshmuar se janë fyer, kanosur e goditur nga i riu 20-vjeçar Syzo. Sipas tyre, kjo ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa kanë qenë së bashku në një lokal. Policia tha se po e heton edhe më tej ngjarjen, për të sqaruar nëse ajo ka lidhje me atë të ndodhur pak ditë më parë, kur në apartamentin e familjes Syzo, për shkak të një konflikti të mëparshëm të tij u vendos një kallëp tritoli, nga shpërthimi i të cilit pati dëmtime në banesë. Sipas të dhënave të para të policisë, edhe incidenti i 20-vjeçarit Syzo me dy të rinjtë e tjerë ka ardhur pasi në lokalin ku ata janë ndodhur, është biseduar pikërisht rreth kësaj ngjarjeje, të vendosjes së tritolit. Në rrethanat e gjaknxehtësisë, duke dëgjuar për ngjarjen ku ishte protagoniste familja e tij, Syzo ka reaguar ashpër. Ai është denoncuar se ka goditur të riun 18-vjeçar me inicialet L.Y, si dhe ka fyer e kanosur edhe vajzën me të cilën ai shoqërohej, 19-vjeçaren me inicialet J.D. Policia e ka konsideruar këtë si një vepër penale që do të ndiqet penalisht, por në gjendje të lirë për 20-vjeçarin Syzo. Nga burime të komisariatit të Pogradecit mësohet se Syzo ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë, si një plagosje të kryer prej tij para afro një viti, për të cilën policia pohon se u bë shkak vendosja e tritolit poshtë dritares së apartamentit të familjes së tij, në katin e parë të një pallati në Lagjen 1 të qytetit. Pas dy ditë hetimesh intensive, policia zbuloi se vendosja e tritolit u krye për motive konflikti që ka pasur djali i familjes Syzo. Policia arriti të identifikonte edhe të arrestonte tre autorët e vendosjes së tritolit, tre të rinj nga fshati Buçimas i Pogradecit. Me një prej tyre, Brijan Syzon kishte pasur konfliktin e plagosjes të ndodhur gati një vit më parë, dhe për të cilin nuk është dënuar, siç bëhet e ditur nga burimet e policisë së Pogradecit.
POGRADEC/ GEZIM ASHIMI











