Komisioni i Disiplinës ka dënuar me katër ndeshje pezullim fushën e Shkumbinit për goditjen me shishe të arbitrit anësor, Emiliano Biçaku gjatë ndeshjes me Flamurtarin. Me këtë vendim i bie që skuadra peqinase të mos ketë më mundësi për këtë sezon që të luajë në fushën e vet, pasi sipas kalendarit ka në dispozicion vetëm tri ndeshje që mund të luajë aty. Veç Shkumbinit, Disiplina ka dhënë vendime edhe për raste të tjera problematika të javës së shkuar. Ja vendimet e plota:
1. KF Shkumbini, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe hedhje të sendeve të forta në fushë me pasojë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, dënohet me 1.500.000 lekë (të rinj) gjobë dhe ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në Peqin për katër ndeshje.
2. Pranimin e kërkesës së trajnerit Alpin Gallo. Detyrimin e KF Tirana të paguajë në favor të këtij të fundit shumën prej 200.000 lekë (të rinj) e barabartë me dy paga mujore të pashlyera ndaj tij.
3. Mospranimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga KF Flamurtari për dhënie të pikëve në tavolinë, si të pabazuar në prova.
4. Lojtarët Fatjon Verri e Mirsad Sukaj të KF Tërbuni, për dhunë ndaj lojtarëve kundërshtare, dënohen secili me nga 5 ndeshje pezullim dhe 50.000 lekë (të rinj) gjobë.
5. Lojtari Bashkim Gaxhaj i KF Luftëtari, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 2 ndeshje pezullim dhe 50.000 lekë (të rinj) gjobë.
6. Trajneri i KF Kamza, Skerdi Bejzade, për sjellje ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes dënohet me 8 ndeshje pezullim dhe 250.000 lekë (të rinj) gjobë.
7. Lojtari i KF Rubiku, Ergin Bleta, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë (të rinj) gjobë.











