Dinamo, Malakarne: Nuk dalim nga kategoria

Apr 18, 2011 | 13:12

Lukas Malakarne, qen-dërmbrojtësi argjentinas i Dinamos, dje e ka ndërprerë stërvitjen, teksa ka pasur një dëmtim në gishtat e këmbës. Por që sipas tij nuk do të jetë problem për të luajtur në Vlorë. Parë dhe vështirësinë ku gjendet Dinamo, e cila duket se këtë sezon, si asnjëherë tjetër, rrezikon të bjerë nga kategorina, Malakarne e thotë: “Nuk jemi ne për të rënë nga kategoria. Me të gjithë lojtarët që kemi, por dhe me cilësinë e lojës që kemi, ne duhet të ishim më lart se vendi i gjashtë në renditje. Por gjatë garës kemi bërë gabime, prej të cilave duhet të mësojmë ne si skuadër, ashtu dhe të gjithë. Kur them të gjithë, e kam për njerëzit në përgjithësi, sepse gjithnjë mësohet nga gabimet”, shpjegon Malakarne, që më pas ka shpjeguar se Dinamo, edhe duke shfrytëzuar maksimalisht ndeshjet në shtëpi me Bylisin e Teutën, arrin që të mbijetojë. “Fundi i kampionatit do të jetë i lodhshëm, por të jeni të bindur që ne i kemi kualitetet për ta nxjerrë me sukses këtë garë. Sa për moralin për finalen e Kupës, unë besoj se kjo skuadër duhet ta ketë, por që duhet të vijë dhe nga siguria ekonomike apo dhe problemet e tjera, në mënyrë që të jemi sa më të plotë në finalen për Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës”, shpjegon Malakarne, i cili bën të ditur se ka dëshirë të ketë një trofe të dytë në Shqipërisë. Pyetjes se kush e meriton titullin Kampion në Shqipëri, Flamurtari apo Skënderbeu, Malakarne i përgjigjet: “Për mua, në mënyrë absolute, skuadra vlonjate, sepse është kompakte në të gjitha repartet e saj”.

© Panorama.al

Te lidhura