Dilemat e Pacollit në darkën me Thaçin: Të hyj apo jo në Qeveri

Apr 23, 2011 | 10:24

Behgjet Pacolli nuk është i vendosur nëse do ta pranojë ofertën e re të Thaçit apo jo, por është e sigurt se do të qëndrojë patjetër në koalicion.Pasiguritë e ish-presidentit Pacolli për të qenë numri dy i qeverisë së Kosovës, e kanë bërë atë të diskutojë në një darkë të gjatë, larg syve të medias, me kryeministrin Thaçi. Përfundimi ishte sërish mëdyshja. Pacolli është shprehur se duhet të mendohet nëse duhet të hyjë në qeveri, apo jo. Ka mundësi që ai t’i thotë ‘jo’ ofertës së Thaçit për emërimin si zëvendëskryeministër i parë, pasi miqtë e tij e kanë këshilluar, se nuk është mirë të hyjë në qeveri, nëse dëshiron që pas një viti të kandidojë për President. “Unë ju garantoj se koalicioni nuk do të prishet, do të vazhdojmë”, tha Pacolli në një prononcim për “Express”, duke shtuar se ai i ka kërkuar edhe disa ditë kohë mikut të tij, Kryeministrit, për të reflektuar. Marrëveshja e re PDK-AKR, pas Kushtetueses, pra pas largimit të Pacollit nga Presidenca, nuk është finalizuar pikërisht prej kësaj mëdyshjeje të kreut të AKR-së. Mediat raportojnë se mbrëmjen e së mërkurës, Pacolli ka darkuar “fshehtas” me Thaçin dhe kanë diskutuar gjatë bashkë. Por, ish-presidenti nuk ka komentuar mbi këtë. “Nuk kemi biseduar me kryeministrin Thaçi për marrëveshjen për koalicionin. Unë jam shumë i lodhur. Më duhet të reflektoj dhe nuk besoj se deri në javën e ardhshme do të ketë ndonjë ndryshim”, tha Pacolli. Sa për pjesën tjetër të marrëveshjes, duket se Thaçi ka rënë dakord me kërkesën e Pacollit. Ai do t’i ofrojë atij dy ministri, një nga ministritë që drejtohet aktualisht nga PDK-ja dhe një tjetër, ministrinë e Diasporës, e cila pritet të themelohet menjëherë pas miratimit të marrëveshjes përfundimtare ‘Thaçi-Pacolli’. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje pikën qendrore të marrëveshjes mes Thaçit, Pacollit dhe Mustafës pas krizës së Presidentit, e cila kërkonte miratimin e dy komisioneve për ndryshimet kushtetuese, konkretisht në pikat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit. Me 76 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime u miratua dje themelimi i dy komisioneve, të cilat do të merren me ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Marrëveshja parashikon zgjedhje të drejtpërdrejta për Presidentin brenda një viti, dhe zgjedhjet e reja edhe për Kuvendin e Kosovës në vjeshtën e vitit 2013.

Dell mohon deklaratat e Pacollit

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka mohuar të ketë nxjerrë nga zarfi emrin e Presidentes Atifete Jahjaga, gjatë takimit me përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së. Në këtë mënyrë, ai ka mohuar deklaratën e Behgjet Pacollit, i cili ka thënë pikërisht se ata (Pacolli, Thaçi, Mustafa) ishin befasuar kur nga zarfi kishte dalë emri i Jahjagës. Me rastin e Ditës së Tokës, Dell bashkë me kryebashkiakun e Prishtinës, Isa Mustafa, mbollën fidanë. Dell, me këtë rast tha se emri i Jahjagës ka ardhur si rrjedhojë e kompromisit, ashtu siç ishte shprehur më parë Mustafa.

Guvernator i BQK-së

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dje, gjatë seancës së votimit të fshehtë, guvernatorin e ri të Kosovës, i cili mund të marrë zyrtarisht detyrën, vetëm nëse Presidentja e re, Atifete Jahjaga, do të miratojë zgjedhjen e tij. Gani Gërguri mori 58 vota dhe është personi që mund të drejtojë së shpejti Bankën Qendrore të Kosovës, duke marrë postin e Hashim Rexhepit, i cili u shkarkua nga ky post pas “shkeljeve ligjore dhe konfliktit të interesit”. Rexhepi u arrestua për akuzat e mësipërme dhe aktualisht ndodhet në burg. Kundër-kandidati i Gërgurit, Safet Merovci, mori 15 vota, ndërsa 26 vota ishin të pavlefshme. Në votime morën pjesë 99 deputetë.

© Panorama.al

Te lidhura