Dija, fëmijët dhe të rinjtë janë injoruar në buxhetin 2026!

Nov 7, 2025 | 8:37

NGA MYQEREM TAFAJ myqerem-tafaj-konferenca

Buxheti i vitit 2026 nuk ka ndonjë risi të veçantë. Ai prapë është i orientuar te detyrimet afatgjata, që duhet të paguajnë taksapaguesit shqiptarë për koncesionet e kripura si dhe për kostot marramendëse të investimeve në infrastrukturë, por jo në infrastrukturë të arsimit.

Vazhdon e njëjta politikë e kësaj qeverie për nënvlerësimin e investimit për dijen, fëmijët dhe të rinjtë e vendit. Nuk ka investim më të madh për të ardhmen e një vendi se sa ai që bëhet për dijen dhe shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve. Buxheti për arsimin dhe shkencën zë 2,53 % të PPB, brenda të cilit: buxheti për arsimin parashkollor dhe atë 9-vjecar zë 1,33 % të PPB; buxheti për arsimin e mesëm zë 0,61 % të PPB, ai për arsimin e lartë zë vetëm 0,46% të PPB, madje ulet 2% krahasuar me buxhetin e vitit 2025. Ndërsa buxheti për kërkimin shkencor (Fondi për shkencën) zë vetëm 0,06 % të PPB, i cili është fondi i cili destinohet për kërkim shkencor për afro 6000 pedagogë dhe doktorantë. I vetmi buxhet që është rritur disi është ai i Akademisë së Shkencave dhe zë 0,02 % të PPB, ose sa 1/3 e Fondit për shkencën, do të thotë se ai është i njëjtë me buxhetin që planifikohet për veprimtarinë e kërkimit shkencor për 2000 pedagogë dhe doktorantë.

Po të lexosh rezultatet e pritshme nga buxhetit 2026 e kupton mirë se përse qeveria planifikon sërish një financim kaq të ulët për arsimin, shkencën, nxënësit dhe studentët.

Po t’u referohemi rezultateve që synohen të arrihen, për periudhën afatmesme 2026-2028, në arsimin bazë thuhet: deri në vitin 2028, 84% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë të regjistrohen në një nga format/llojet e arsimit të mesëm! Kjo është politikë për vendet e botës së tretë. Si ka mundësi që një vend që synon të bëhet vend anëtar i BE të pranoj që 16% e 15-vjecarëve të Shqipërisë të mbeten pa arsim të mesëm. Ku do shkojnë këta të rinj? Do të bëhen ata gjahu i bandave kriminale për të shitur drogë apo për krime të tjera. Si mund të ketë objektiva të tilla Shqipëria kur disa vende të Europës zbatojnë prej vitesh politikë të arsimit të mesëm të detyruar. Por, edhe nëse kësaj maxhorance nuk i intereson të marrë përgjegjësi për të bërë arsimin e mesëm të detyruar për çdo nxënës që përfundon me sukses arsimin e detyrueshëm, përse nuk synon të jetë të paktën mbi 90 %, ndërkohë që shifra 92% u arrit para 15 viteve!?

Raporti i fundit i Progresit i BE thotë se 70% e fëmijëve kërcënohen nga varfëria! Varfëria nuk është vetëm pasja e ushqimit, apo kushteve të tjera të jetesës, por shumë më tepër. Shkollimi është ndër kriteret parësore. Të thuash që 16% e të rinjve 15-vjeçarë do të mbeten me arsimin bazë 9-vjeçar në fundin e dekadës së tretë të këtij shekulli, do të thotë që këta të rinj do të mbeten pa shkollim të mesëm dhe pa ndonjë profesion, qoftë edhe me kualifikim të mesëm, për 6-7 dekadat që vijnë, pra deri në fundin e këtij shekulli. E thënë ndryshe, këta të rinj janë më të predispozuarit për të mbetur të varfër për gjithë jetën.

Ndërsa për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor relacioni thuajse nuk ka fare rezultate të pritshme, përjashtuar një të tillë, i cili lidhet me numrin e kërkuesve shkencorë për 1000 banorë (deri në vitin 2028 të arrijë në nivelin e mesatares së vendeve të OECD). Kjo do të thotë që të paktën të dyfishohet numri i kërkuesve shkencor. Kjo duket shumë larg, kur shikon realitetin në sistemin tonë të arsimit të lartë, në të cilin vetëm për politika të zhvillimit të burimeve njerëzore nuk mund të bëhet fjalë. Asnjë fjalë nuk thuhet në relacion për rritjen e pagave të mësuesve dhe pedagogëve, çka do të thotë se 2026-ta nuk do të sjellë asnjë përmirësim të pagave të tyre.

Buxheti si dokumenti politik qeveritar më i rëndësishëm i një viti, i cili koston të gjithë politikat e një qeverie, nuk ka asnjë fjali në relacionin e tij për politika të veçanta për fëmijët dhe të rinjtë e vendit, përjashtuar politikat aq të varfra për shkollimin. Është pozitive që ka një kapitull për buxhetin gjinor, por do të ishte shumë më e rëndësishme që publiku që kuptonte, përmes buxhetit 2026, se si do të jetë investimi i këtij buxheti për fëmijët dhe të rinjtë. Fatkeqësisht asgjë nuk thuhet. Fëmijët dhe të rinjtë janë të harruar plotësisht edhe në buxhetin 2026. Si është e mundur që qeveria nuk ka ndjeshmëri për problemin themelor që ka Shqipëria: emigrimin masiv të rinisë dhe nuk ndërmerr asnjë politikë realiste kundër emigrimit të rinisë dhe shpopullimit të vendit.

Me këtë financim, që planifikohet në buxhetin 2026 për të gjithë nivelet e arsimit, nuk mund të pritet asnjë progres domethënës në këtë sektor. Është financim sa për mbijetesë, një financim i nivelit të vendeve të botës së tretë. Ndërkohë që Shqipëria ka një PPB prej 28,3 miliardë euro, do të thotë se është një vend jo i varfër, për arsimin e lartë planifikon 110 milionë euro nga buxheti për 90 mijë studentë në universitetet publike (afro 1222 euro/student) dhe afro 170 milionë euro për afro 90 mijë nxënës në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional ose afro 1890 euro/ nxënës. Është interesante që buxheti ynë planifikon gati 54 % më shumë buxhet për 1 nxënës në shkollën e mesme se sa për 1 student në universitet! Me këtë nivel të financimit prej 2,5 % të PPB për gjithë arsimin kuptohet lehtë se qeveria nuk ka asnjë objektiv të vërtetë për reforma modernizuese të sistemit të arsimit, për të afruar cilësi dhe standarde të një vendi europian. Me këtë nivel kaq të ulët të financimit, shumica e shkollave tona do të vazhdojnë të mos kenë kushtet elementare për mësim për nxënësit dhe studentët. Prandaj nuk duhet të habitemi se përse në PISA krahasohemi me Palestinën, përse asnjë universitet publik nuk hyn dot në rankime internacionale, përse maturantët parapëlqejnë të largohen për studime jashtë vendit, përse vendi ynë ka prodhimtarinë më të ulët shkencore edhe në Ballkan dhe shumë rrjedhoja të tjera që njihen mirë nga gjithë nxënësit, studentët dhe gjithë opinion publik. Me këtë nivel kaq të ulët të investimit, i cili është sa gjysma e premtimit të bërë nga kjo maxhorancë që në vitin 2013, se për arsimin buxheti do të ishte 5 % e PPB. Shqipëria me këtë PPB prej 28, 3 miliardë euro hyn në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe jo vend i varfër. Por, fatkeqësisht, kjo qeveri investon për arsimin, fëmijët dhe të rinjtë aq sa investojnë vendet e varfra të botës së tretë.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura