Devis Muka: Po të lidhesha me të gjitha partneret e skenës, tani do të kisha 20 gra

Nov 8, 2014 | 16:14

Në foto: Devis Muka me Olta Bokën
Një aktor si ai luan në jetë, por preferon të jetë real në skenë. Dikush mund ta konsiderojë thjesht shaka këtë përkufizim të Devis Mukës për veten, por ai thotë se kjo është e vërteta absolute e një artisti. Kësaj here ngjitet në skenë si aventurier kërcimi me Olta Bokën. Zbulon se çfarë fshihet pas alkimisë së shprehur mes tij dhe këngëtares, lidhjes së dashurisë në jetë dhe si ndihet në sfidën tjetër brenda “show”-t, atë të batutave mes Erandit, Gentit dhe Marianës.  
 Kësaj here në ekran për të kërcyer, je më shumë aktor se në skenë teatri apo më i vërtetë se në jetën e përditshme?
Unë jam aktor në jetë dhe i vërtetë në skenë. Por të jesh aktor në jetë është shumë e vështirë. Në jetë të gjithë luajnë një rol, mirë apo keq qoftë.
Me partneren Olta Boka duket se keni alkimi, aq sa ka nga ata që mendojnë se ju jeni të dashur. Në fakt, si mund të emërtohet energjia e mirë që ju shkëmbeni me njeri-tjetrin?
Në foto: Devis Muka me të fejuarën
E vetmja e vërtetë është se të dy duam skenën dhe skenës, kur i fal dashuri, ta kthen gjithmonë.
Në insertet si çift luani me ide, që kanë edhe erotikë brenda. Mund të konsiderohet joshje seksuale mënyra si silleni ndaj njëri-tjetrit?
Nuk e di se si dukemi, por ne përpiqemi të bëjmë gjëra interesante çdo javë. Erotike ose jo, ne po e shijojmë të dy këtë aventurë.
Mendon dhe ti se Ilir Avdyli e ka qejf Oltën pak më shumë se ç’duhet? Çfarë do i thuash në këtë rast atij, në rolin e partnerit që ke?
Iliri i do të gjitha aty. Por do më shumë ato që kërcejnë mirë. Ilirit do i thosha: “Vazhdo kështu, Liro!”
Dhe cili çift mendon se do të ngjitet në fronin mbretëror në finalen e spektaklit?
Nuk e di, se po ta dija do të vija skedinë.
Për ata që s’kanë provuar kurrë një kërcim skenik, me çfarë aktiviteti tjetër të jetës do ua krahasoje si eksperiencë?
Kërcimi nuk mund të krahasohet me asgjë, prandaj ata që duan ta krahasojnë me diçka, më mirë të kërcejnë.
Si djalë shtatlartë që je, a ke kufizime për partneret e tua? Duhet të jenë të shkurtra, të gjata sa ti apo më të gjata se ti?
Asnjë kriter nuk kam, veçse të kenë sharmin dhe elegancën e një femre.
Femra më e përshtatshme për një lidhje serioze, pra idealja për ty?
Femra ideale është ajo që e puth kur është e re dhe bisedon me të kur plakesh.
Keni deklaruar se jashtë skenës si ti dhe Olta keni lidhjet tuaja të dashurisë. Ç’ mund të zbulosh për historinë tënde?
Për lidhjen time mund të them vetëm kaq, se në gjithë eksperiencën që kam në teatër, artisti ka gjithmonë dy dashuri, një në skenë dhe një në jetë. Ajo e jetës është gjithmonë e vërtetë.
Po ato të skenës sa përqindje të vërtetë mund të kenë?
Në fakt, po të lidhesha me të gjitha partneret e skenës që kam pasur, tani do të kisha 20 gra.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura