Deklaratat e Ramës për Zvërnecin, ish-prokurori Eugen Beci: Nëse nuk është miratuar projekti, pse po kryhen punime në terren?!

Jun 1, 2026 | 21:39

 

Ish-prokurori Eugen Beci ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si po ecën projekti i paralajmëruar për Zvërnecin, duke theksuar se deklaratat e kryeministrit Edi Rama se projekti nuk është ende i finalizuar nuk përputhen me zhvillimet që po shihen në terren.

eugen beci

I ftuar në emisionin “Studio24”, Beci tha se një investim me vlerë rreth 4 miliardë euro duhet të kalojë fillimisht të gjitha procedurat ligjore, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis, konsultimin publik dhe shqyrtimin nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, nëse projekti nuk është përfunduar ende, atëherë nuk mund të ketë as një vlerësim të saktë për ndikimin që do të ketë në mjedis apo përfitimet që do të sjellë.

Ai ngriti dyshime edhe për rrethimin e një prone në zonë, duke theksuar se sipas informacioneve të bëra publike, ndërhyrja është kryer pa leje.

Sipas ish-prokurorit, pa një projekt të plotë dhe pa përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore, është e vështirë të jepen garanci për ndikimin real dhe përfitimet që ai mund të ketë për zonën dhe komunitetin.

Ish-prokurori Eugen Beci: Problemi është koncepti i pasjes apo jo të projektit ka një lidhje procedurale me ligjet që Republika e Shqipërisë funksionon. Dhe në rast se ne flasim për një projekt kaq madhor ku vlera është 4 miliardë euro dhe në rast se mbështes zonjën Lala vetëm në një ide, në rast se flasim në konceptin që duhet bërë ligji mbi investimet strategjike, ligji mbi ndikimet në mjedis, të gjithë këto elementë patjetër që të çojnë që nuk kemi një projekt përfundimtar.
Por pyetja që lind është, në një logjikë jo vetëm ligjore, por dhe njerëzore dhe normale: Në rast se ti nuk ke një projekt, pse je kaq i sigurt që është më i miri i mundshëm, edhe projekti i cili ndikimin në mjedis e ka zero? Kur projekti nuk ka mbërritur ende, ka një arsye që ti s’mund ta vlerësosh, qoftë dhe politikisht të thuash është më i miri i mundshëm, sepse vetë thua që nuk është.

Dhe e dyta dhe më kryesorja, në rast se projekti nuk ka ndjekur rrugën ligjore të mundshme që kanë lidhje me shqyrtim nga komiteti i investimeve strategjike, vlerësimin e ndikimit në mjedis, konsultimin publik, ligjin për zonat e mbrojtura, procedurën territoriale dhe urbanistike, atëherë pse ka veprime konkrete në terren? Pse kemi një rrethim prone pa leje? Sepse doli sot që është pa leje.

Dhe pse këto elementë të gjitha nuk janë bërë publike për sa i përket një projekti kaq madhor që ka një vlerësim të ndikimit në mjedis shumë të rëndësishëm? Pyetja është e thjeshtë: Në rast se nuk ka ndjekur tërë procedurat ligjore, ose në rast se besojmë që këto procedura ligjore janë kthyer për t’u saktësuar, për t’u qartësuar, është e thjeshtë fare – pse duhet të jemi të garantuar kur s’kemi një projekt mbi të cilin duhet të diskutojmë?

© Panorama.al

Te lidhura