“Tentuan të na përçanin, por nuk dorëzohemi”- Aktivisti: Nuk ikim pa dhënë Rama dorëheqjen! Suksesi i protestës është vrasja e frikës! Qytetarët të revoltuar nga ky pushtet

Jul 17, 2026 | 15:41

Segmente të pushtetit kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë përpjekje dhe tentativa për të përçarë dhe shuar protestën popullore që vijon prej 48 ditësh, por pa sukses.

ardesjan binjakaj

Kështu u shpreh sot në studion e Neës24 aktivisti Ardesjan Binjakaj, duke folur për strategjinë e saj, arritjet e deritanishme dhe misionin e mëtejshëm.

Ai kritikoi edhe sjelljen e disa deputetëve të mazhorancës dhe kryeministrit, që ka fyer dhe akuzuar protestuesit me etiketime me mungesë të theksuar etike.

“Ka pasur shumë tentativa për të na zhbërë ne si proptestues. Ka pasur hedhje balte nga deputetët e S, si korba, sorra, palaço dhe të tjera. Deputetët kanë treguar nivelin e tyre, kanë treguar se nuk i përfaqësojnë dot denjësisht njerëzit që ata përfaqësojnë. Ata nuk kanë kurrë mendësinë të na përgjigjen neve, sepse ne kemi treguar sjellje e qytetari, kurse ata kanë treguar mungesë respekti dhe etike. Ata po përpiqen të gjejnë metoda dhe shkaqe për të na përçarë por ne nuk lëvizim prej aty”, tha ai.

Sipas aktivistit, kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe se nuk do largohen nga sheshi pa e arritur këtë qëllim. Dhe arsyeja është përfshirja e pjesës më të madhe të qeverisë në skandale korruptive dhe që ndodhen nën akuzë nga SPAK.

“Ne kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës, ne mëshojmë tek kjo kërkesë parësore, edhe pse ai është shprehur se nuk e jep. Rama ka pjesën kryesore të pushtetit në burg, ministrat, janë të ngjyer me bojën e korrupsionit, baltën e krimit, janë të akuzuar. Ne nuk e pranojmë këtë si popull, ndaj po tregojnë europianizëm ndaj protestojmë që ta shporrim këtë klasë politike. Nuk ikim nga sheshi pa u plotësuar kërkesat tona. Fraza më korrekte do ishte Rama i pandehur, Beriha i pandehur. Klasa e vjetër politike e ka treguar se ka qenë fasadë”, vijoi Binjakaj.

I riu bëri edhe apel për ata deputetë të djathtë dhe të majtë që mendojnë ndryshe nga partitë e tyre, që t’i bashkoheshin protestuesve.

“Nëse ka mbetur ndonjë deputet te PS dhe PD, sadopak, ne duam të afrohen me ne dhe të shprehin mbështetjen, nëse distancohen nga partitë e tyre. Deri tani kanë qenë të afërta dhe solidare partitë e vogla. Nuk janë futur në brendësi të protestës, por kanë mbështetur dhe kjo të ngjall besimin. Ka pasur edhe këshilltarë të majtë e të djathtë që kanë shprehur mbështetjen ndaj protestës”, tha ai.

Binjakaj u pyet edhe për organizatorët e protestës, por shpjegoi se nuk ka të tillë, pasi është nismë qytetare dhe revoltë e nxitur nga sjellja e dhunshme e shtetit dhe problematikat e theksuara nga të cilat vuajnë qytetarët.

“Organizatorë të mirëfilltë të protestës nuk ka, kjo është një nismë qytetare e nisur nga dhuna ndaj një qytetari në Zvërnec. Nëse protestuesi nuk do kishin filmuar atë moment dhune, do ishim në një realitet krejt tjetër. Ndaj qytetarët janë të frustuar, sepse kushdo që del në atë shesh e ka përjetuar një moment kur ka pasur padrejtësi ndaj tij apo kur s’ka pasur kamera. Ndaj edhe qytetarët janë të revoltuar”, vijoi i riu.

Kurse suksesin më të madh të protestës ai renditi vrasjen e frikës nga qytetarët, të cilët nuk tremben më të flasin për hallet e tyre, pasi më parë pushteti i kërcënonte dhe shantazhonte.

“Sukseset e protestës janë realisht të shumta, por gjëja simbolike që ka arritur kjo protestë është se ka vrarë frikën, më përpara kishin frikë qytetarët. Sepse për të dalë para kryeministrisë kanë pasur frikë se mos i gjejnë, i shantazhojnë dhe tani kjo është një arritje e madhe që po përpunohet. Shqiptarët nuk kanë më frikë të flasin. Të gjithë personat që na shohin të bashkohen me ne në protestë, të shprehin indinjatën dhe problematikat që kanë, sepse ky është momenti që duhet ta bëjnë”, përfundoi Binjakaj.

© Panorama.al

Te lidhura