“Ikim nga Shqipëria sepse këtu nuk gjejmë mundësi”- Aktivisti: Faktori ndërkombëtar jep mbështetje për protestën, kauza jonë është legjitime!

Jul 17, 2026 | 15:29

Protesta popullore hyn sot në ditën e 48-të të rezistencës së saj të pandërprerë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe pastrimi i vendit nga kasta e vjetër politike për dëmet që i ka shkaktuar Shqipërisë.

ardesjan binjakaj1

Aktivisti Ardesjan Binjakaj tha nga studio e televizionit News24 se shqiptarët largohen masivish për shkak se qeveria nuk u jep alternativa dhe ndihen të braktisur.

Ai mendon se faktori ndërkombëtar e mbështet këtë protestë sepse ajo është legjitime në kërkesat e saj. Gjithashtu shtoi se kjo protestë ka qenë paqësore.

“Faktorët ndërkombëtarë gjithmonë japin mbështetje ndaj kauzave që janë legjitime dhe kjo protestë ka treguar se ka kauzë legjitime. Kërkesat tona janë bazike, për europianizimin e Shqipërisë. Mënyra si kemi zgjedhur të protestojmë është paqësore, elokuente dhe pozitive. Shqiptarët shprehin liritë dhe të drejtat e tyre në mënyrë paqësore. Është e pamundur ta mohosh një protestë të tillë. Kemi qenë gjithë kohës paqësorë dhe në shesh, nuk e ndryshojmë mendimin tonë. Kemi treguar se jemi më afër me Evropën se sa mendon Evropa, ne shqiptarët kemi treguar europianizëm”, tha ai.

Kurse për shpopullimin masiv, emigrimin dhe braktisjen e vendit, ai shpjegoi se kur mungojnë alternativat, njerëzit kërkojnë jetë më të mirë, por mendja e tij gjithmonë mbetet në Shqipëri.

“U largova nga Shqipëria për studime universitare, sepse e pashë se vendi nuk më ofronte këto mundësi. Vetë sistemi i dëbon ata sepse nuk u jep meritën që kanë dhe kushtet. U riktheva në Shqipëri për të dhënë kontributin tim këtu. Shumë profesionistë emigrojnë për kushte më të mira. Të gjithë po protestojnë për nevojat bazike dhe jo për luks. Shumica zgjedhin emigrimin për kushte më të mira. Kam disa arsye për të protestuar, e para që të mos ndihem më i huaj në vendin tim. E kam përjetuar gjithmonë ndjesinë si i huaj, si në Itali ashtu edhe në Amerikë, kisha mendimin se nuk isha i njëjtë me qytetarët atje. Dua që njerëzit të ndjejnë atë që ndjej dhe unë. Familja ime nuk është e implikuar në politikë, por ata janë shprehur mbështetës ndaj meje që nga fillimi, unë po bëj edhe betejën e tyre”, tha ai.

Binjakaj foli edhe për organizimin e protestave në diasporë dhe mbështetjen e saj të rëndësishme që po i jep revoltës popullore prej 48 ditësh.

“Në Itali dhe në Rimini janë zhvilluar disa protesta. Kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme solidariteti që ndjejnë për vendin e tyre, ata e ndjejnë. Të gjithë ikin për një jetesë më të mirë dhe po t’i pyesësh të japin këtë përgjigje. Shqipëria mund të bëhet më e mirë. Duhet të jemi koherent dhe në kohezion, ta mbështesim njëri-tjetrin. Diaspora ka shprehur mbështetjen e saj të jashtëzakonshëm, si në shesh ashtu edhe në rrjetet sociale. Unë jam mirënjohës ndaj saj sepse i kanë frymëzuar shqiptarët, edhe kur erdhën këtu”, vijoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura