Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri theksoi se protestat masive të qytetarëve kanë shkundur themelet e qeverisë së Edi Ramës.
Në një intervistë për News24, deputeti deklaroi se parlamenti është deligjitimuar për shkak të qytetarëve që janë në shesh. Duke komentuar bojkotin e PD-së, ai theksoi se Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm ku mund të bëhet beteja kundër qeverisë.
“Parlamenti është vendi ku maxhoranca duhet të vihet para përgjegjësisë aq më tepër në këtë kohë kur shqiptarët kërkojnë përgjegjësi e ndryshim. Vendimi i tyre politik (referuar bojkotit të PD). Ne mendojmë që parlamenti duhet mbajtur fort sepse është institucioni më i rëndësishëm në vend dhe kemi mundësinë t’i përplasim Ramës keqqeverisjen e tyre në 13 vite në pushtet. “, tha Kapri.
Sipas tij, qytetarët që po protestojnë çdo ditë po i tregojnë Perëndimit se Rama është një autokrat. Kapri u shpreh i bindur se ai do të japë dorëheqjen por po mundohet që ta shtyjë.
Duke komentuar ultimatumin e BE-së për të shfuqizuar ligjin për zonat e mbrojtura, deputeti tha se kryeministri tashmë është në një kurs përplasjeje të hapur me Unionin.
“Janë këta të rinj që kanë marrë vëmendje në perëndim, që po i thonë Perëndimit se këtu është një komb që do një qeverisje normale dhe po i tregon perëndimit se kemi një autokrat. Jo një artist kryeministër por autokrat kryeministër që po sundon përmes një grushti njerëzish popullin më të varfër në Evropë.”, shtoi ai.
Deputeti shprehu gjithashtu bindjen se Rama do të vihet shumë shpejt përpara drejtësisë.
“Kreu i SPAK tha se askush nuk do të jetë imun. Është një deklaratë inkurajuese sepse SPAK ka proceduar këdo. I vetmi që ka shpëtuar deri tani është Rama. Por duke parë përfshirjen e tij në dosje dhe se drejtësia ka lëvizur me çështjet që po heton, ne mendojmë se është çështje kohe që edhe kryeministri do të vendoset para drejtësisë. Nuk ka rrugë tjetër.”, tha ai.
© Panorama.al












