Kina i përshkroi sot si “trillime të pastra” deklaratat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili në fjalimin e tij televiziv dje riktheu në tryezë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020.
Të enjten në mbrëmje, Donald Trump akuzoi Pekinin për kryerjen e “hakerimit më të madh të të dhënave zgjedhore në histori, i cili rezultoi në marrjen ilegale të 220 milionë dosjeve të votuesve amerikanë nga Kina” dhe për përpjekjen për të “fabrikuar” fletët e votimit në favor të rivalit të tij të atëhershëm, Joe Biden.
“Akuzat e bëra nga pala amerikane nuk janë gjë tjetër veçse trillime të pastra dhe shpifje dashakeqe, të cilat prej kohësh janë vërtetuar si të pabaza”, tha Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, gjatë një konference për shtyp.
“Kina nuk ka interes në zgjedhjet amerikane dhe nuk ka ndërhyrë kurrë në to. Përkundrazi, bashkësia ndërkombëtare e sheh shumë qartë se kush është ai që zakonisht ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera.
Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të reflektojë mbi veprimet e veta, të ndalojë së shpifuri pa bazë Kinën, të ndalojë së bëri Kinën një problem në zgjedhjet e saj dhe të bëjë më shumë për të promovuar marrëdhëniet sino-amerikane”, vazhdoi zëdhënësi.
© Panorama.al












