Ndregjoni: Përpara uraganit të lirisë së popullit s’ka diktator që reziston! Rama të japë dorëheqjen, SHBA e BE ta ndalin!

Jul 17, 2026 | 16:00

Kreu i Shoqatës së ish të përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, i bëri thirrje ndërkombëtarëve, SHBA dhe BE,. Që të ndërhynin për të ndalur regjimin kriminal të kryeministrit Edi Rama dhe ta detyronin të jepte dorëheqjen për shkak të gjendjes ku ka futur Shqipërinë dhe rrezikut që i ka sjellë me pushtetin stalinist.

besim ndregjoni

I ftuar sot në studion e News24, ai foli për rezistencën qytetare të 48 ditëve protestë, duke vlerësuar shpirtin luftarak të rinisë, e cila përballon edhe temperaturat deri në 40 gradë në shesh de nuk dorëzohet në qëllimet dhe idealet e saj.

“Protestojmë për vendi tonë dhe për të drejtat tona. A ka turp kryeministri që thotë se nuk e jep dorëheqjen? Janë shqiptarë që u dhimbset liria, që protestojnë për atdheun e tyre, që kërkojnë të drejtat e tyre. Shqiptarë që kërkojnë që 1 mln shqiptarë që janë shpopulluar nga kryeministri i vendit të tyre të vijnë, t’i shërbejnë vendit të tyre, sepse këtë pasuri kombëtare nuk mund ta lësh në dorë të horrave të politikës. Ka të njëjtat metoda, veprime e përbuzje si stalinizmi i djeshëm”, tha ai.

Ndregjoni kujtoi se edhe televizioni Neës24 e kishte provuar përçmimin dhe dhunën e pushtetit dhe nënvizoi se shqiptarët nuk janë siç pretendon kryeministri.

“Ju si televizion vetë e keni provuar përçmimin e kësaj qeverie. Shqiptarët treguan për botën se nuk janë siç i paraqet Edi Rama”, vijoi ai.

Më tej kreu i ish të Përndjekurve vuri në dukje se uragani popullor do e detyrojë kryeministrin që në fund të largohet dhe të ndalojë ideologjizmin stalinist që ai kërkon të instalojë, si dikur komunizmi.

Ai i bëri thirrje kryeministri Rama që të mos e mbante më peng Shqipërinë.

“Përpara uraganit të lirisë nuk ka diktatorë në botë që mund t’i rezistojë popullit. Rama të japë dorëheqjen, e kërkon populli. Dorëheqja është e paevitueshme, jepe dorëheqjen zoti Rama, boll e keni mbajtur këtë Shqipëri peng. Shqipëria ka nevojë tani për frymëmarrje demokratike e të lirë, ka të drejtë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këta sillen si pushtet diktatorial, iki kur them unë, iki vetëm në vitin 2050, a ka lajthitje më të madhe se kjo që t’i thuash protestuesit tënd se nuk e jap dorëheqjen”, tha ai.

Ndregjoni ndau mendimin e tij edhe për rezistencën qytetare dhe veçanërisht të rinisë:

“A ka gjë më të bukur se një popull, se një rini që sfidon temperaturat e larta dhe de në shesh. Në temperaturë 40 gradë, djem e vajza si shqiponja në bulevard përballë këtij diktatori që thotë s’e jap dorëheqjen. I themi zotit Rama lëre këtë Shqipëri, mos e mbaj peng”.

Në fund ai i beri apel partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe SHBA që të ndërhynin dhe të ndalonin çdo veprimtari kriminale të kryeministrit, pasi Shqipëria kishte nevojë për zgjedhje të lira.

Një apel edhe për drejtësinë e re, që të hetonte çdo aferë qeveritare dhe t’i ndëshkonte zyrtarët e inkriminuar.

“I bëj thirrje DASH dhe BE që të ndalin çdo veprimtari apo veprim të kësaj qeverie kriminale, kjo qeveri duhet të iki sa më parë. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe për Shqipëri të re, po për ideologji staliniste dhe përçmuese, ndërtohet vendi me shtet të së drejtës. Thirrje edhe drejtësisë dhe SPAK, kjo qeveri duhet të përballet me drejtësinë. Kemi rastin e Bashkisë së Tiranës, kemi dosjen 5D me abuzimet e drejtorëve të bashkisë”, përfundoi ai mesazhin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura