Deklaratat e EULEX për veriun nxehin Kuçin: Nuk negociojmë

Apr 21, 2011 | 9:30

Deklarata e kreut të EULEX-it, Ksavier Bout de Marnak, se për funksionalizimin e gjykatës në veri të Mitrovicës është e nevojshme një marrëveshje me Beogradin, ka irrituar zv/kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi.Deklarata erdhi pas dështimit të kthimit të gjykatësve vendorë në Gjykatën e Mitrovicës, një mision i cili më parë konsiderohej i marrë përsipër nga EULEX-i. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka quajtur të ngutshme deklaratën për drejtësinë të shefit të EULEX-it, Ksavier Bout de Marnak. Ai komentoi se çështja e zyrtarit të EULEX-it, i cili u pezullua për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është zmadhuar më shumë nga ç’duhet, pasi është veprim individual, por më të rëndësishme janë telashet që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin, sidomos në veri. “Unë kam telashe me EULEX-in në raport me veriun, unë kam telashe me EULEX-in për rendin dhe ligjin, unë kam telashe me EULEX-in për ligjet e aplikueshme”, tha Kuçi. Ai i quajti deklaratat e Marnak për veriun e Kosovës si të pakonsultuara me të. Kuçi premtoi se do të jetë më i zëshëm, sa i përket drejtësisë, sidomos funksionimit të rendit dhe ligjit në veri. “Gjykatat në veri nuk janë pjesë e dialogut me Serbinë, nuk është rregullimi i brendshëm juridiko-kushtetues dhe unë këtu nuk bëj kompromise. Si ministër i Drejtësisë, ju them se sistemi unik i gjykatave, ligjet e aplikueshme në tërë territorin e Republikës, hierarkia dhe emërimi nga Këshilli Gjyqësor apo Prokurorial i Kosovës nuk janë çështje që i negociojmë me askënd, në ketë vend apo jashtë këtij vendi. EULEX-i duhet ta kryejë punën e vet me mbikëqyrje. Nëse nuk ka kapacitet, ne do t’i provojmë kapacitetet tona. Nuk është mirë të marrim vendime të njëanshme, por nëse një gjë e tillë tërhiqet nga dikush, ne kemi për detyrë ta ruajmë territorin tonë, sistemin tonë dhe Kushtetutën tonë”, tha Kuçi. Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë sot shpreh shqetësimin për deklarimet e zyrtarëve të EULEX, në lidhje me funksionimin e institucioneve të drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës, e cila administrohet nga strukturat paralele serbe dhe vetë Serbia. KMDLNj e akuzoi EULEX-in për standarde të dyfishta. “Deklarata se Gjykata në veri mund të funksionalizohet vetëm pas një marrëveshjeje politike me Serbinë, është skandaloze, si dhe legalizimi i strukturave paralele serbe e shtetit të Serbisë në këtë pjesë të okupuar të Republikës së Kosovës”, reagoi KMDLNj.

Dëshira e Jahjagës

Presidentja e konsensusit në Kosovë, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se nëse arrin objektivat e saj, mund të kandidojë sërish për të fituar mandatin e ri presidencial. Në një intervistë me VOA-n, Jahjaga, mes të tjerash tha: “Qëllimi im është që brenda këtij mandati sa do të jem, të mbroj të gjithë interesat dhe ëndrrat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në BE dhe në OKB. Dhe nëse do të jem e suksesshme në këtë mision, ndoshta do të ishte një ndër arsyet që do të mendoja të vazhdoja më tutje”.

© Panorama.al

Te lidhura