PAJTIM MELANI
Banka e Shqipërisë njoftoi në mbledhjen e fundshtatorit uljen e normës bazë të interesit, e cila teorikisht pritet të reflektohet në uljen e interesit të depozitave, lehtësimin e interesave të kredive dhe qëndrueshmërinë e ndoshta edhe uljen e yield-it të bonove të thesarit. Ulja e interesit ishte paralajmëruar në media para se të zhvillohej mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, organi i vetëm vendimmarrës, duke e zhvlerësuar në një farë mënyre analizës ex-post për arsyet që çuan në këtë veprim. Ulja e normës bazë të interesit, teorikisht duhet të çojë në uljen e interesit të depozitave dhe kredive në lekë, si dhe në interesat e bonove të thesarit.
Që në krye të herës duhet të sqarojmë se norma bazë e interesit është instrument i Bankës Qendrore për kontrollin e indeksit të përgjithshëm të çmimeve (inflacionit), i cili është dhe objektivi kryesor dhe ekskluziv i Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, norma e interesit ka një efekt të rëndësishëm në sektorin real të ekonomisë, produktin e brendshëm bruto, investimet dhe punësimin e për këtë arsye roli “rregullator” i saj duhet parë përtej objektivit të inflacionit (3+/-1%). Pyetjet që shtrohen janë nëse ishte ky momenti dhe a ishte kjo masa (norma e interesit u ul nga 5.25 në 5 %, pra me 0.25 %) e duhur e uljes së normës bazë të interesit?
Koha e duhur?!
Nga të dhënat zyrtare të departamentit të politikës monetare rezulton se inflacioni është nën kontroll, për shkak se ka një rënie të presioneve nga çmimet e administruara (që vendosen nga entet publike), por dhe për shkak të efektit sezonal të prodhimeve vendëse, kryesisht frutave dhe perimeve. Muaji gusht ishte i vetmi kur inflacioni zbriti nën 3%, që është dhe shënjestra që ka vendosur Banka e Shqipërisë dhe teorikisht duket se ky ishte momenti i parë i mundur për të ulur, megjithëse në mënyrë të moderuar, normën e interesit. Por ndërkohë, për shkak të nivelit modest të zhvillimit të sektorit bankar dhe mosfunksionimit si duhet të mekanizmit të trasmesionit të politikës monetare, efektet e ndryshimit të normës së interesit në Shqipëri ndihen në një periudhë më të gjatë kohe se në vendet “normale” dhe, për këtë arsye, koha për uljen e saj kishte ardhur shumë më herët. Kjo sepse, megjithëse modeste, ulja e interesit të kredive mes Bankës Qendrore dhe bankave tregtare, ka efekt të drejtpërdrejtë në dekurajimin e kursimeve dhe rritjen e shpenzimeve, uljen e interesave të kredive dhe lehtësimin e kushteve të kreditimit të qeverisë për shpenzime apo investime publike e, për pasojë, ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike. Frymëmarrja e ekonomisë nëpërmjet lehtësimit të kushteve të kredisë dhe nxitjes së kërkesës së brendshme (që duket se është rrudhur, po të shohim reduktimin e importeve) mund të ishte më e hershme për të qenë në kohë. Vetë Banka e Shqipërisë raporton se rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive, por më e ngadalësuar në semestrin e tretë e, pikërisht për këtë arsye, ulja e interesit duhet të ishte më e avancuar, në mënyrë që efektet të fillonin të ndiheshin që këtë vit. Me llogaritjen se efektet e uljes së normës bazë të interesit do ndihen pas rreth 6 muajsh (për kreditë), efekti real në treg shtyhet në kohë dhe mund të jetë i prekshëm për vitin e ardhshëm.
Masa e duhur?!
“E njëjta masë këpuce nuk u përshtatet të gjithëve”, është një shprehje e gjendur dendur, kur rekomandohet që politikat që zbatohen në një vend me sukses, mund të kopjohen dhe nga një vend tjetër. Në kohë turbulencash, avionët mundohen të fluturojnë në kuota të ulëta dhe një paralele e tillë mund të hiqet edhe për normat e interesit në situata të vështira ekonomike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për normat e interesit, kur dihet që në periudhë të krizave financiare dhe, aq më tepër, atyre ekonomike (sektorit real), normat bazë të interesit duhet të jenë në nivele të ulëta. Kështu, Banka Qendrore Europiane aplikon një interes ndërbankar 1.5%, dollari amerikan ka një normë bazë 1%, ndërkohë që ka dhe rekorde si ai i Bankës Qendrore të Japonisë, që ka vendosur norma negative interesi. Sigurisht që jemi larg krahasimit me Japoninë, por e sigurt është që jemi lart krahasuar me normat bazë të interesit, në kushtet kur ekonomia kërkon stimuj bankarë për të mbështetur rritjen dhe punësimin. Norma bazë e interesit të lekut dhe, për relevancë, interesit e depozitave, bonove të thesarit dhe sidomos të kredive mbeten shumë të larta. Vetë Banka e Shqipërisë në raportimin e fundit thotë se ka ende hapësira për reduktimin e interesave të kredive. Për këtë arsye, ulja me 0.25 % e normës bazë të interesit duket më shumë se e moderuar.
Si konkluzion
Banka e Shqipërisë duhet të kishte bërë një ulje më domethënëse të interesit, përndryshe do duhet ta ndjekë me ulje të tjera në të ardhmen afatafërt, sigurisht nëse plotësohet kushti i inflacionit brenda kufijve shënjestër, 2-4 për qind. Meqenëse për 7 nga 9 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kjo e fundshtatorit mund të jetë mbledhja e fundit, i mbetet bordit të ri të ridimensonojë instrumentet e politikës monetare, për të siguruar inflacionin nën kontroll, por duke pasur si prioritet absolut rritjen ekonomike. Ndryshe nga Greqia, që e humbi pavarësinë e politikës monetare në vitin 2001 kur iu bashkua eurozonës, Banka jonë Qendrore e ka ende në dorë instrumentin për të vepruar në mënyrë të pavarur e për t’i dhënë stimujt e duhur ekonomisë.











