Debati “Pitbull”

Apr 13, 2026 | 8:02

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Një qen i racës Pibull kafshoi një fëmijë katërvjeçar në kokë duke i rrezikuar seriozisht jetën. Më pas u njoftua se autoritetet e pushtetit vendor vendosën të vrasin qenin. Pra, “ta dënojnë me vdekje për krimin që ka kryer”. Nga ana tjetër, individë dhe shoqata animaliste dënojnë këtë ndëshkim të kafshës. Debati ka marrë përmasa dhe duket se e tërë shoqëria është e ndarë në dy llogore, në pro dhe në kundër veprimit të pushtetit vendor. Në tërësi debati dominohet nga komponenti emocional ku me të drejtë nënvizohet rrezikimi që iu bë jetës së një fëmije të vogël. Madje, emisioni qendror i lajmeve i një kanali televiziv përshkruhej nga pikëpyetja “Kush e mban përgjegjësinë”?

Pa qenë cinikë, mund të themi me plot gojën se qeni nuk është qenie e përgjegjshme e për rrjedhim të mbajë përgjegjësi. I zoti i tij që duket se e ka braktisur, nuk ndodhet përpara një përgjegjësie ligjore, e cila ta orientojë se çfarë lloje kafshe shtëpiake të mbajë, a i lejohet të mbajë kafshë, çfarë lloj race kafshësh shtëpiake i ndalohet të mbajë, cilat janë rregullat që ai duhet të zbatojë? A ka detyrime pushteti vendor për mbajtjen e kafshëve nga individë? Cilat janë detyrimet e individëve që mbajnë kafshë të egra apo shtëpiake? Të gjitha këto me rrezikshmërinë e tyre natyrore në hapësira publike e private. Përgjigja e pyetjeve të mësipërme shërben mjaft mirë për t’i dhënë përgjigje pyetjes se kush e mban përgjegjësinë. Pasi përcaktohet përgjegjësia, natyrshëm pas saj, vjen edhe penaliteti administrativ si parandalim, edhe ai penal si ndëshkim.

Debate të kësaj natyre ndodhin shpesh dhe ato përsëriten e përsëriten sa herë që ndodh një incident apo një aksident. Kjo sepse për një problem të kësaj natyre është folur edhe disa vite më parë, më 2021, kur një qen i racës Pitbull sulmoi një të mitur. Pra, nëse publiku dhe media flet e ngre probleme, autoritetet kompetente heshtin dhe për deri sa nuk ka ndonjë nismë ligjore, duket që nuk është vepruar në ndërtimin e një sistemi administrativ ligjor për të rregulluar parandalimin e incidenteve të tilla me rrezikshmëri. Madje, për të mos mbetur vetëm te rasti konkret, disa vite më parë u fol edhe për një vajzë, e cila mbante në shtëpi një gjarpër të cilësuar i parrezikshëm.

Pyetja e cila kërkon përgjigje është e thjeshtë: “A kemi një legjislacion i cili parandalon ekzaktësisht incidente të tilla të rënda?

Nëse do t’i referoheshim ligjit 41/2025 “Për shëndetin e kafshëve”, i cili bazohet mbi ligjin e mëparshëm “Për shërbimin veterinar”, duket se ai nuk ka për objekt parandalimin e ngjarjes për të cilën po flasim, por shëndetin e kafshëve dhe rregullat se si të eliminohen rreziqet që i vijnë shëndetit publik nga sëmundjet e kafshëve, shtëpiake ose jo. Ligji detajon pra pikërisht këtë aspekt që sapo cituam dhe jo rrezikshmërinë e lidhur me natyrën e racën e kafshës.

Në se do t’i referoheshim Kodit Penal, edhe ai në tërësi synon mbrojtjen e kafshëve shtëpiake dhe më konkretisht sanksionon dënimin me burgim deri në tre vjet të atij që “dëmton fizikisht ose psikologjikisht kafshët shtëpiake ose të zbutura”. Kodi Penal dënon, po ashtu, edhe pronarët e kafshëve shtëpiake apo të zbutura nëse kafsha e tyre është jashtë kontrollit dhe shkakton lëndime fizike apo dëme materiale. Ndërkohë që nuk ka një ligj specifik që parashikon pikërisht se cilat kafshë shtëpiake apo të zbutura janë të ndaluara për t’u mbajtur. Ai dënon me burg edhe raste e braktisjes së kafshëve, edhe moskontrollin e tyre. Pra, Kodi Penal parashikon mbrojtjen e kafshëve shtëpiak e të zbutura dhe “ekzekutimi” i tyre është totalisht i paligjshëm dhe nuk parandalon incidentin.

Përveç ligjit të mësipërm dhe Kodit Penal ekzistojnë edhe disa rregulla administrative nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ato janë gjithmonë në të njëjtin drejtim, pra marrjen në mbrojtje të kafshëve. Natyrisht, të gjitha këto kanë vlerën e tyre, por duke iu referuar edhe një herë ngjarjes së mësipërme, boshllëku ligjor është i dukshëm. Në këtë drejtim, mjafton të hedhim një sy legjislacionit në disa vende perëndimore dhe gjërat bëhen më të qarta.

Së pari: Ligji duhet të përmbajë një liste të kategorizuar të kafshëve shtëpiake dhe të zbutura që lejohen të mbahen. Në këtë listë, duhet të përcaktohen edhe raca të ndryshme që kategorizohen të rrezikshme dhe që nuk lejohen të mbahen. Pra të ndalohet shitja, importi, mbarështimi dhe mbajtja e tyre. Dhe nëse i referohemi një vendi konkret si psh., Franca, qentë e racës Pitbull duke u kategorizuar si sulmues në kategorinë e parë, janë rreptësisht të ndaluar të mbahen.

Së dyti: Ata individë që kanë pasur qenë të racës Pitbull para daljes së ligjit, janë të detyruar t’i sterilizojnë dhe nxjerrja e tyre në hapësira të përbashkëta, në vende publike dhe në ambiente private të hapura për publikun është e ndaluar. Kurse në rrugë duhet të kenë maskën dhe të mbahen të lidhur pas dore e jo të lirë.

Së treti: Pronarët e qenve të racës Pitbull janë të detyruar të pajisen me leje nga Bashkia pasi të kenë kaluar një kontroll të sjelljes së tyre.

Së katërti: Nëse nuk respektohen rregullat e mësipërme, individi dënohet me 15 mijë euro gjobë dhe qeni konfiskohet. Jashtë këtyre kushteve, mbajtja e një qeni Pitbull quhet e paligjshme.

Nëse qeni kafshon një individ, si në rastin konkret, pronari ndëshkohet shumë rëndë edhe financiarisht. Ai duhet, ndër të tjera, edhe të paguajë gjithë shërbimet mjekësore për viktimën. Një gjë e tillë parashikohet edhe në Kodin tonë Penal.

Rregullat e mësipërme janë një ilustrim i asaj se si duhet vepruar nga organet kompetente, pasi në tërësi detyrimet administrative të pronarëve të kafshëve shtëpiake dhe të zbutura janë të shumta, përfshi edhe një sasi financiare si siguracion nëse kafsha shkakton dëme te të tjerët.

Në thelb, si konkluzion mund të thuhet se sot debati “Pitbull” është ekzaktësisht i njëjtë me atë të vitit 2021. Pra, asnjë hap para për të ndrequr këtë mangësi që do të përgjegjësonte shumë më shumë pronarët e kafshëve shtëpiake e të zbutura dhe po ashtu më shumë, do të mbronte jetën nga incidente të tilla.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura