
DURRES – Përkujtimi i 72-vjetorit të rezistencës ndaj pushtimit italian në qytetin e Durrësit ka përkuar me fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. Kjo ceremoni u bë dje shkas për një shtrëngim duarsh mes dy rivalëve, atij socialist Vangjush Dako dhe homologut të tij demokrat, Ferdinand Xhaferri. Të dy kandidatët, të cilët do të përballen në betejën zgjedhore të 8 majit, e kanë respektuar me korrektësi orarin që ishte caktuar për fillimin e ceremonisë. Në prani të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, shoqatave dhe familjarë të dëshmorëve të 7 prillit, ndonëse i shtrënguan duart miqësisht njëri-tjetrit, komentet në lidhje me këtë gjest kanë qenë të ndryshme nga dy rivalët. Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferri i është shmangur përgjigjes duke lënë të kuptohej se ishte një shtrëngim duarsh pa rëndësi, ndërsa kandidati socialist Vangjush Dako e ka cilësuar këtë gjest si një mesazh paqeje dhe qytetarie, nga e cila duhet të karakterizohet kjo fushatë, duke lënë mënjanë akuzat dhe debatet e rëndomta.
Menjëherë pas vendosjes së kurorave dhe buqetave me lule pranë monumentit të Mujo Ulqinakut, kandidati demokrat Ferdinand Xhaferri është larguar nga të pranishmit, ndërsa kandidati socialist Vangjush Dako ka qëndruar duke biseduar gjatë me veteranët dhe familjarët e tyre. l.m











