Çudia, Dinamo merr premio pas humbjes me Skënderbeun

Apr 20, 2011 | 11:48

E pakonceptueshme, por një skuadër si Dinamo është shpërblyer përsëri për humbjen me Skënderbeun. Shuma e përfituar nga futbollistët ka qenë 30.000 lekë (të rinj), njësoj si të ishte fitore në shtëpi.Kurse pjesa tjetër e skuadrës, që do të thotë stafi teknik, ai mjekësor dhe prapavija, kanë marrë diçka më pak. Në fakt, argumenti që kanë dhënë drejtuesit e Dinamos, për këtë premio të shpërndarë, ishte e prapambetur. Madje ata kanë pohuar që, deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, do të likujdojnë gjithçka të prapambetur që ka të bëjë me premion apo dhe me rrogat e këstet e kontratës. E jo vetëm kaq, por premion e kalimit në finalen e Kupës së Shqipërisë, që është 20 mijë dollarë për të gjithë skuadrën, do ta japin përpara ndeshjes me Bylisin. Gjë që është konfirmuar dhe nga trajneri i Dinamos, Artan Mërgjyshi, që të hënën në mbrëmje ka qenë në takim me zëvendëspresidentin e bluve, Avni Braçe. “Është e vërtetë – thotë Mërgjyshi – që unë kam pasur një takim me zëvendëspresidentin Braçe, ndërsa është premtuar që premio e kalimit në finale për skuadrën të jepet para ndeshjes me Bylisin”. Megjithatë, duket sikur fjala e prapambetur nuk shkon shumë, aq më tepër që dinamovitët kanë katër javë që nuk fitojnë në kampionat, që nga 12 marsi i këtij viti, kur kanë mundur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, Elbasanin, 3-1. Një premio që dinamovitët e kanë marrë përpara derbit me Tiranën, që e barazuan 0-0. Por dinamovitët thonë janë të prapambetura, në një kohë që është shpërblimi i dytë që blutë marrin gjithnjë pas humbjeve me Skënderbeun. Dinamovitët thuajse janë gati për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, sot në Vlorë. Sipas trajnerit të bluve, Artan Mërgjyshi, Dinamo luan në fushë, e jo në tavolinë. “Ne nuk kemi pse të kemi frikë nga kërcënimet. Do të shkojmë të bëjmë lojën tonë, duke respektuar Flamurtarin dhe kampionatin njëkohësisht. Do të jetë e vështirë, se kemi mungesa”, përfundoi Mërgjyshi.

Plaku: Dinamo duhet të tolerojë edhe ndaj nesh

Për Flamurtarin nuk ka rrugë tjetër përveç fitores në sfidën e sotme ndaj Dinamos. Duke qenë se Skënderbeu ndodhet dy pikë para në klasifikim, skuadra e Maganit ka për detyrë të fitojë këtë ndeshje, në mënyrë që të rimarrë vendin e parë. Këtë ide ka edhe Sebino Plaku, i ardhur me bujë në janar, por që nuk po jep atë që pritej. Deri tani lojtari ka arritur të shënoj vetëm 4 gola dhe këto në ndeshjet brenda. “Unë e kam zakon që përjetoj shumë edhe vete kur ekipi nuk ecën mirë. Mungesën e golit sigurisht që e ndjej jo se nuk jam përpjekur, por ndonjëherë ndodh kur e kërkon diçka me ngulm dhe nuk e arrin dot. Megjithatë, ky fakt nuk më ka demoralizuar, përkundrazi, më ka bërë të jem më vigjilent dhe më kërkues në çdo top që më jepet”, ka thënë fillimisht Plaku. Flamurtari luan sot ndaj Dinamos, ku varet jo pak sezoni. Plaku e parandien se ndaj Dinamos fitorja do t’i buzëqeshë Flamurtarit. “Këtë kampionat nuk e kemi njohur asnjëherë humbjen në fushën tonë dhe ky është një sinjal i qartë edhe për kundërshtarin tonë të radhës. Tashmë ekipi i ka kaluar ato probleme që kishte dhe rikthimi i Xhafajt na bën akoma dhe më të fortë. Nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse Dinamo sot do të shtrëngohej ndaj nesh, pasi do të pranonte hapur alenacën që ka me Skënderbeun. Megjithatë, Flamurtari s’ka për ta ulur ansjëherë në nivelin e kundështarve të tij dhe sot do të preferoja që Dinamo të luajë ndaj nesh  drejtësisht, se në këtë mënyrë edhe fitorja do të ishte me e bukur”, ka përfunduar Plaku.

Superiore/ Java 29

Sot
Vllaznia-Tirana    14:00
Flamurtari-Dinamo    16:30
Bylis-Shkumbini    16:30
Besa-Kastrioti    16:30
Elbasani-Teuta    16:30
Skënderbeu-Laçi    18:00

Të pezulluarit
Shkumbini – Ahmed Mujdragiç (3v), Erion Mustafaji (3v), Roland Dervishi (3v);
Bylis – Maringlen Shoshi (3v), Marko Jovanoviç (3v);
Elbasani – Orgest Gava (3v), Aldo Bella (3v);
Kastrioti – Ante Zore (3v), Kenan Rakipoviç (3v);
Tirana – Blerti Hajdari (3v);
Vllaznia – Ilir Nallbani (3v);

© Panorama.al

Te lidhura