Cez Shpërndarje ka publikuar dje formulën e re mbi të cilën do të llogarisë energjinë për faturat që përfshijnë më shumë sesa 30 ditë. Kështu, për një sërë arsyesh të ndryshme, nëse CEZ nuk ka kryer matjen brenda muajit, por disa ditë pas tij, llogaria do të bëhet me tarifën sociale prej 7.7 lekë.
Shembull
Sot blloku i parë i energjisë që llogaritet me tarifën sociale 7.7 lekë/kwh është 300 kwh. Pas kësaj, energjia tarifohet me 13.5 lekë/kwh. CEZ në formulën e saj ka llogaritur që për 30 ditë, mesatarja e kilovatëve të përfshira brenda bllokut të parë është 10 kwh/dita. Le të marrim si shembull një familje që faturimi i muajit mars do t’i bëhet në datë 5 prill dhe numri i kilovatëve të harxhuar është 400 kwh. Për 300 kilovatët e parë llogaritja do të jetë : 300kwh x 7.7 lekë/kwh= 2 370 lekë. Ndërkohë që nga fatura për 5 ditët në vijim janë harxhuar 100 kwh energji. Faturimi i kësaj sasie energjie do të bëhet në bazë të: 5 ditë plus x 10 kwh (mesatarja e një dite brenda bllokut social) x 7.7 lekë = 50kwh x 7.7 = 385 lekë. Ndërkaq, nga 100 kwh që kemi, vetëm 50 llogariten me tarifën sociale, ndërsa 50 të tjera do të llogariten me çmimin e zakonshëm prej 13.5 lekë= 675 lekë. Në total, fatura që përfshin muajin mars dhe 5 ditë të prillit do të kushtojë: 2370 lekë + 385 lekë + 675 lekë= 3430 lekë të reja ose 34 mijë lekë të vjetra.
Deputeti Beqaj
Për deputetin e Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, formula e CEZ është ende një propozim dhe ka kohë që tërhiqet zvarrë zbatimi i saj. Lidhur me faturimin mbi 30 ditë të energjisë nga ana e kompanisë, deputeti Beqaj bëri dje në Prokurori një kallëzim për mënyrën e faturimit të energjisë nga CEZ. “Pas përpjekjeve disa mujore si qytetar, po dhe në kuadër të angazhimit tim në Kuvendin e Shqipërisë, për të përmirësuar mënyrën e faturimit të energjisë elektrike për shqiptarët, sot iu drejtova Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim, “për mënyrën e faturimit të energjisë elektrike nga operatori i shpërndarjes”, tha Beqaj pas daljes nga Prokuroria. Në këtë pikë, deputeti i PS-së ka akuzuar edhe qeverinë si aksionere në kompaninë e shpërndarjes së energjisë dhe që nuk bën asgjë për të ndaluar vjedhjen. “Sali Berisha nga njëra anë premton se do u falë qytetarëve faturat e energjisë, ndërsa nga ana tjetër jo vetëm që nuk është në gjendje të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë, por me kompaninë shpërndarëse të energjisë, ku është aksioner dhe është i ulur në Këshillin e Mbikëqyrës, vazhdon të vjedhë shqiptarët”, përfundoi ai.











