Bjellorusia s’do të ketë shans të marrë pikë këtë të shtunë ndaj kuqezinjve. Garancia vjen nga lideri i mbrojtjes së Kombëtares, Lorik Cana, i cili analizon deri në detaj gjithë vijimësinë e përfaqësueses.Sipas Canës, mungesa e Currit dhe e Dallkut nuk është e paktë, por as për t’u justifikuar, pasi Kombëtarja ka lojtarë në mbrojtje po aq të mirë dhe me eksperiencë, sa kundër dyshja kosovare.
Mbrojtja e ekipit tonë është në një moment delikat, pasi mungon si Curri, por edhe Dallku….
Normal që mungesa e tyre është e rëndësishme. Ekipi ka qenë shumë më i konsoliduar me Currin dhe Dallkun në mbrojtje dhe këtë e ka treguar më së miri edhe fakti se kemi marrë rezultate dhe nuk kemi pësuar gola. Gjithsesi, unë personalisht kam shumë besim edhe te lojtarët e tjerë të grumbulluar, duke filluar që nga Lila, Teli, Beqiri, Vangjeli, të cilët absolutisht nuk mund të quhen si inferiorë kundrejt Dallkut dhe Currit, pasi edhe ata kanë kohë që luajnë në Kombëtare dhe jam i sigurt se do bëjnë më të mirën.
Mesfusha kohët e fundit ka çaluar disi dhe ndoshta këtu mund të ketë ndikuar edhe kthimi juaj prapa në mbrojtje, a mendoni se do ishte më mirë që të ktheheshit në pozicionin tuaj të mëparshëm?
Shikoni, unë jam vënë gjithnjë në dispozicion të skuadrës. Sigurisht që mesfusha ka pasur probleme, por edhe sikur unë të jem aty, me karakteristikat që kam asesi nuk mund të bëj Skelën, pra të marr përgjegjësi mbi kapacitetin tim. Unë jam një lojtar që merrem më shumë me ekuilibrin në skuadër dhe organizimin e fazës defensive, ndaj gjykoj se, qenia ime në mesfushë apo në mbrojtje, nuk ndryshon aspektin sulmues e kreativ të ekipit tonë.
Çfarë ndeshje prisni ose parashikoni ndaj Bjellorusisë, nisur nga fakti se kjo skuadër nuk ka pësuar ende një gol në kualifikime?
Bjellorusia është një skuadër e fortë. Nuk dua të them që është më e fortë se ne, por një ekip që luan mirë futboll. Një gjë të tillë e ka treguar edhe në katër takimet e para ku jo vetëm nuk ka pësuar asnjë gol, por ka shkuar edhe ka mundur Francën në fushën e saj dhe kjo nuk është rastësi. Gjithsesi, ne do të kërkojmë të marrim fitoren ndaj tyre dhe këtë gjë do ta arrijmë vetëm duke e sulmuar.
Vijmë nga një ndeshje miqësore me Slloveninë ku veç humbjes, Kombëtarja zhvilloi edhe një ndeshje të dobët, sidomos në pjesën e parë…
Është bërë shumë zhurmë për atë takim, por unë dua të saktësoj diçka që një ndeshje miqësore mbetet e tillë, pra miqësore. Unë personalisht nuk e pata marrë aq seriozisht atë ndeshje. Por edhe kolegët e tjerë në skuadër nuk ishin në 100 për qind të formës së tyre. Dikush vinte nga një dëmtim, dikush kishte luajtur pak me ekipet kua aktivizohen ndaj edhe ndaj Sllovenisë nuk u pa fytyra e vërtetë e Shqipërisë. Gjithsesi, ndonjëherë ia vlen të humbësh një ndeshje të tillë miqësore për të parë edhe ndonjë gabim tek-tuk që duhet absolutisht anashkaluar në ndeshjet që vijnë, siç është kjo ndaj Bjellorusisë. Ndaj them se të shtunën do të shikoni totalisht një ndeshje tjetër.
A do ndikojë fakti se Bjellorusia ka mungesa dhe një pjesë e lojtarëve të saj tani kanë filluar të luajnë me ekipet e tyre?
Mungesat e rëndësishme janë problematike edhe për ekipe të mëdha, dhe jo vetëm për Bjellorusinë, ndërsa porsa i përket aktivizimit të futbollit në vendet ruse, unë gjykoj se niveli i kampionateve në atë vonese, e kam fjalën në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusi është rritur shumë, ndaj në këtë aspekt ne duhet të marrim parasysh se nuk do të luajmë ndoshta ndaj emrave të mëdhenj, por absolutisht ndaj lojtarëve luftarakë.
“Gallatasaraj? No comment!”
Nuk dëshiron të flasë për krizën qe ka mbërthyer Gallatasarajin, skuadrën turke në të cilën ai luan që prej fillimit të këtij sezoni, ndaj gjithë xhentilesë lutet që të mos e pyesim. “Nuk kam asnjë koment. Dua të flas vetëm për Kombëtaren. Shpresoj që të mos më keqkuptoni”, ka pohuar Lorik Cana, duke mos dhënë asnjë pikënisje mbi të ardhmen e tij te skuadra turke. Pas largimit të trajnerit holandez, Frenk Rajkard në fund të vitit të kaluar, të mërkurën drejtuesit e Gallatasarajit kanë shkarkuar nga detyra edhe trajnerin rumun, George Haxhi.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











