
Ish-deputeti i Ballit Kombëtar, Alfred Çako, një prej hartuesve të Rezolutës Çame në vitin 2004, tha dje për “Panorama” se socialistët kanë pasur shumë presion nga Fatos Nano për të mos miratuar këtë draft. Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë tha më tej se, pas votimit në Parlament, nuk u janë vënë në dispozicion procesverbalet e votimit të rezolutës.
“Na u tha që nuk u miratua, sepse nuk mori shumicën e votave për të kaluar dhe se Rezoluta Çame u rrëzua. Nuk e di se çfarë ndodhi në atë kohë e me elektronikën, për ato mund të japë shpjegime Fatos Beja”. Çako shkoi më tej duke thënë se ka bashkëpunuar me deputetin Shpëtim Rroqi për të hartuar këtë rezolutë. “Në lidhje me hartimin e kësaj rezolute është propozuar nga Balli Kombëtar në 2004-n, është shqyrtuar në vitin 2004 në Komisionin e Jashtëm, ku ka qenë kryetar Ilir Zela, në atë kohë ka pasur vullnet për ta kaluar. Por nuk u mundësua nga ndërhyrja e Fatos Nanos nga Greqia. Ai ka pasur shumë presion dhe nuk e miratuan dot në Komisionin e Jashtëm. Ditën që u vota në Parlament, Fatos Nano nuk ka qenë në sallë, por di që u ka bërë presion deputetëve që të mos e votonin, sepse do ndikonte në kthimin e refugjatëve në Kapshticë dhe Kakavijë. PS-ja në atë kohë e di që abstenoi dhe nuk e mbështeti. E kam hartuar unë më ish-deputetin e Ballit, Shpëtim Rroqi, atë rezolutë dhe kemi marrë për bazë një rezolutë të vjetër, të cilën e kemi përmirësuar dhe zgjeruar më pas”, tha ish-deputeti i Ballit, Alfred Çako.











