“Ku është ministri i Mjedisit, të japë llogari!”- Zhupa për zonat e mbrojtura: Po bëni studime me buldozerë! Protestuesit e Zvernecit s’janë agjentë, dhatë Butrintin, tani radha e Nartës

Jun 4, 2026 | 10:43

Deputetja demokrate Ina Zhupa tha sot (4 qershor) nga foltorja e Kuvendit se qeveria po tjetërson zonat e mbrojtura duke i dhënë me koncesion apo shitur te oligarkë e grupe interesash, ku pasi u dha me koncesion Butrinti dhe tashmë Zvërneci, po i hyet me kokë edhe Nartës.

zhupa

Ajo kërkoi praninë e ministrit të Mjedisit për interpelancën që kishte kërkuar, që të jepte llogari. Zhupa akuzoi qeverinë “Rama” për këto skandale pronash.

Zhupa theksoi se është e pafalshme që Shqipëria vazhdon dhe betonizohet dhe se qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

“Kam kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit për zonat e Mbrojtura Të vijë dhe t’u japë llogari shqiptarëve, përse nuk është futur në rendin e ditës Interpelanca urgjente. U mësuat ju që betonizonit çfarë të donit, bëtë Gjirin e Manastirit, dhe të Butrintin me koncension nuk pyetët dhe sot doni t’i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni. Por harruat që shqiptarët luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar për një betejë që unë e kam nisur që me Butrintin dhe PD e ka çuar në Gjykatë”, tha deputetja demokrate.

Më tej ajo ngriti alarmin se bregdeti dhe zonat e mbrojtura po shkatërrohen me buldozerë, duke vënë në dukje se po shkeleshin edhe standardet e BE-së.

“Sot ua kërkon bashkimi Evropian ta mbroni. Janë protestues shqiptarë, jo grekë, apo rusë apo agjentë, janë shqiptarë që u dhimbset, Turizmi i qëndrueshëm është me mjedis të qëndrueshëm. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton. Ju doni t’i tregoni shqiptarëve histori me beton, vila. Sot duhet të trembeni  nga ata shqiptarë që protestojnë përtej çdo partie. S’mund të na thoni që po bëni studim mjedisor me Buldozier”, tha ajo mes të tjerash, teksa iu ndërpre fjala pr shkak të minutazhit të procedurës.

Nënkryetarja Klodjana Spahiu iu përgjigj se kërkesa për interpelancë nuk ishte sjellë në kohë për seancën e sotme dhe do shqyrtohej në atë të ardhshme.

© Panorama.al

Te lidhura