Burgaj-Bashkisë:Sillni zonat ku ndalohen flamujt

Apr 5, 2011 | 11:15

TIRANË- Policia e Shtetit kërkon nga bashkia e Tiranës të specifikojë zonat ku ndalohet vendosja e flamujve dhe posterave të tjerë elektoralë. Deklarata vjen nga kreu i kësaj drejtorie, Hysni Burgaj në përgjigje të letrës së dërguar dje nga bashkia e Tiranës, pas incidentit të ndodhur me flamujt e vendosur nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Burgaj ka garantuar zbatimin rigoroz të ligjit, duke theksuar se Policia e Shtetit është dhe do të jetë gjithnjë e angazhuar për veprime të ligjshme.

Duke iu referuar letrës së dërguar nga Bashkia, ai ka nënvizuar se policia e shtetit është duke e shqyrtuar atë, por ka kërkuar edhe informacionin shtesë.

Ne letren e djeshme, citohej neni 79 i ligjit 10019, për kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë sipas të cilit “cdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë së qeverisjes vendore”.

Sipas Kodit Zgjedhor, specifikohet ne leter “Policia Bashkiake ka për detyrë “Të kujdeset për ruajtjen e afisheve, njoftimeve e shpalljeve publike si dhe heqjen e atyre të paligjshme ose të paautorizuara”.

I pyetur nga mediat per plagosjen e Ardit Kajës, kryeinspektorit ndërtimor të Bashkisë, Burgaj theksoi se policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura