Burgaj: 5700 policë të trajnuar, gati për zgjedhjet

Apr 7, 2011 | 12:01

TIRANE – Rreth 5700 punonjës policie në të gjithë vendin përfunduan trajnimin për zgjedhjet vendore të 8 Majit, ku qëllim kryesor është garantimi i sigurisë dhe standardeve të procesit. Në përfundim të trajnimit, që zgjati 10 ditë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, me prezencë edhe të zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, zhvilloi një takim me drejtuesit e policisë së qarqeve, ku ndau detyrat dhe dha porositë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Vota është e shenjtë, prandaj edhe ne do ruajmë materialet zgjedhore. Dhe të gjithë punonjësit e policisë duhet të garantojnë me çdo kusht sigurinë dhe rendin para, gjatë dhe pas procesit të votimit”, u shpreh Burgaj. Sipas tij, është detyrë e Policisë së Shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit, veçanërisht dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe të Udhëzimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe si punonjës të Policisë së Shtetit me kompetenca të veçanta, ne duhet të tregojmë në çdo rast gjatë kryerjes së detyrave standarde më të larta se ato që priten nga qytetarët e thjeshtë, në lidhje me etikën personale dhe integritetin në zbatimin e ligjit”, deklaroi Burgaj. Ai gjithashtu përmendi raportet e organizmave ndërkombëtare për zgjedhjet e viteve 2005, 2007, 2009, të cilët kanë nënvizuar qëndrimin e shkëlqyer të shërbimeve të Policisë së Shtetit ndaj proceseve elektorale. “Le të konfirmojmë, të gjithë së bashku dhe një herë, se Policia e Shtetit këto vlera do t’i ruajë dhe do t’i përmirësoje më tej. E drejta e votës është e shenjtë. Ne të gjithë duhet të jemi krenarë dhe të privilegjuar që ligji na ngarkon me detyrën fisnike të ruajtjes së kësaj të drejte”, theksoi Burgaj. Nga ana tjetër, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, gjatë fjalës së tij shprehu besimin se fillimi i kësaj fushate elektorale e gjen Policinë e Shtetit më të përgatitur se kurrë dhe kjo, falë masave që lidershipi i Policisë së Shtetit ka marrë. “Policia e Shtetit futet në këtë fushatë me një bilanc të shkëlqyer të dy fushatave të fundit zgjedhore, veçanërisht të vitit 2009 ku të gjitha raportet ndërkombëtare kanë vlerësuar me nota maksimale rolin e Policisë së Shtetit”, u shpreh Peka.

© Panorama.al

Te lidhura