BRUNA ZEKTHI-“Puthjet me Erandin tek seriali ‘Wanted’ nuk e bezdisin të dashurin tim”

Apr 2, 2011 | 13:02

Një Bruna që i bie rasti të takohet me dhjetë Erand Solji në serialin komik “Wanted”. Nga një lidhje me telefon e gazetares së televizionit me korrespondentin e lajmeve në spektaklin “Portokalli”, tashmë në një lojë aktoriale në kërkim të njeriut ideal, të gjitha variantet e të cilit i mishëron Erand Sojli. Aktorja Brunilda Zekthi luan me emrin e saj, në sitcom-in ku një vajzë 30-vjeçare, e diplomuar jashtë Shqipërisë, rikthehet në kërkim të shpirtit binjak. Situata komike, po aq dhe dramatike që i realizon në një lojë të pandarë me mamanë e saj, aktoren energjike të Teatrit Kombëtar, Mariana Kondi. Pas diplomimit për aktrim në SHBA dhe eksperiencave në teatër e film atje, Brunilda Zekthi tregon për eksperiencën e saj aktoriale me Sojlin, ku nuk mungojnë dhe puthjet e kinemasë.
Bruna, luan në sitcomin “Wanted” me emrin tënd. Si të tingëllon ky emër në serial?
Në fakt, mbajtja e emrit tim edhe në serial është sa gjë e mirë se të bën të njohur, aq dhe pak e rrezikshme, për faktin se duket sikur luan jetën tënde të vërtetë. Por prapë është një eksperiencë e bukur, për të cilën më kanë ndihmuar Erandi dhe Mariana, pasi ka qenë një bashkëpunim perfekt me ta.
Si ndodhi që realizuat një numër të dytë me Erandin në “Portokalli”?
Që para një viti e gjysmë, kur unë fillova punë në «Portokalli» pas kthimit nga SHBA, u bashkuam në rolin e gazetares dhe të korrespondentit, një kombinim që pati sukses.
Je protagoniste kryesore e serialit “Wanted”. Pse të zgjodhi ty Erandi?
Në fakt unë kam folur fillimisht me Iris Sojlin, motra e Erandit, bashkëskenariste e këtij seriali komik, dhe meqë vinim të dyja nga një jetë jashtë vendit, unë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo nga Franca, menduam për subjekt diçka të tillë, me idenë që do të godiste sepse shumë vajza në brezin e 30-vjeçareve janë vërtet në kërkim të njeriut të jetës. Me Irisin kemi pasur miqësi të përbashkët, ndërsa Erandin, siç e thashë, e kam takuar në spektaklin “Portokalli” një vit e gjysmë me parë.
Ndërkohë që një lojë interesante është ajo me Mariana Kondin, në rolin e mamasë suaj. Çfarë mamaje është ajo në film?
Mariana është një mama trendy, por e përqendruar në familje dhe me një qëllim të rëndësishëm për vajzën e saj: ta martojë. Shkojmë shumë bashkë, ndihemi vërtet si nënë e bijë.
Kthehemi te Erandi, shkëmbeni puthje kinemaje bashkë në seritë në vazhdim? Nëse po, ishte e vështirë të pranohej kjo gjë nga partnerët e secilit prej jush?
Po, ka skena të tilla, por nuk janë të vështira për mua për t’u realizuar, në momentin që ka profesionalizëm. Momentet intime nuk janë të ndryshme nga momentet dramatike. Kur xhirohen në një ambient profesional, nuk janë problem. Për sa u përket partnerëve, unë personalisht kam pasur mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerit tim, po ashtu dhe Erandi nga bashkëshortja e tij, e cila ka qenë e pranishme në xhirimet e këtyre skenave. Puthja s’duhet të jetë më tabu në kinema dhe nuk besoj se është më.
Shumë pak e njohim jetën tënde para se të shfaqeshit në “Portokalli”. Cila ka qenë jeta në Amerikë?
Në fakt kam jetuar 17 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam diplomuar në Akademinë e Dramës atje, dhe po ashtu në Institutin e Marketingut dhe Reklamës. Vendosa të rikthehem…
Të kthehesh nga Amerika që të jetosh në Tiranë, për dikë mund të tingëllojë si regres…. Cila ishte arsyeja?
Këtu në Tiranë kam kaluar fëmijërinë dhe fillimin e adoleshencës, kështu që e kam pasur ëndërr të kthehem dhe të jetoj këtu. Në Shqipëri është më bukur të jetosh, se jeta nuk ka intensitetin e Nju Jorkut. Atje ritmi i jetës të merr frymën. Këtu ka ca gjëra më të thjeshta, ritmi i jetës është më i ngadaltë, ka më pak stres dhe ke mundësi të krijosh një balancë mes jetës reale dhe asaj profesionale.
Ndërkohë që në këtë sezon nuk të kemi parë në rolin e gazetares në “Portokalli”. Pse?
Kam pasur disa angazhime të miat, megjithatë shpresoj që të rikthehem në sezonin e ri “Portokalli”, pasi për pak ne fillojmë xhirimet e 10 serive të dyta të “Wanted”.
Çfarë është “Wanted” për ty? Është më e vështirë të krijosh situata dramatike, apo komike?
Ky serial është një ndërthurje perfekte e situatave komike me ato dramatike. Aty situatat ndodhin si në jetën tonë, në disa takime të miat me mashkullin mashtrues, për shembull, krijohen situata që të bëjnë dhe për të qarë, dhe për të qeshur.
Ndërkohë që me Erandin takohesh dhjetë herë, pasi ai shfaqet në 10 karaktere të ndryshme. Cili prej tyre të ngjit më shumë?
Nuk mund t’i ndaj. Erandi realizon në mënyrë perfekte karaktere të ndryshme. I dua të gjitha.
Ke pasur eksperienca me aktrimin në SHBA?
Po, sigurisht, sepse unë kam përfunduar studimet në Amerikë për aktrim dhe pas kësaj kam pasur disa eksperienca në shfaqje teatrale. Më pas, kam qenë protagoniste në një film të plotë 90 minuta, me titull «Who do voodoo». Kam interpretuar në rolin e një shqiptareje dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua.
Në këtë serial, ajo që bie në sy janë numrat e baletit, e deri te sportet e ndryshme. I ke ushtruar më parë?
Po, sigurisht. Amerika të jep shumë mundësi. Por unë fillimisht jam marrë me balet, ndërsa në Amerikë kam luajtur futboll si sulmuese katër vjet, jam marrë me atletikë, ku kam fituar katër çmime dhe kam luajtur tenis.

Dy Brunat, në jetë dhe në film…

Ka shumë gjëra të përbashkëta me Brunën, që nga profesioni i balerinës, pasi dhe Bruna ashtu i ka hyrë fushës së artit.
Çfarë i bashkon Brunën te “Wanted” me Brunën në jetën reale?
Vetëm emri i njëjtë.
Çfarë mendojnë dy Brunat për 30-vjeçaret që kërkojnë një njeri ideal?
Pak e vështirë për ta gjetur. Mendojmë që është një paralele që e përjetojnë jo vetëm 30-vjeçaret që jetojnë në Shqipëri, por të gjitha 30-vjeçaret e Ballkanit.
Ku ndryshon Bruna e “Portokallisë” nga Bruna e “Wanted”?
Të dyja kanë të mirat e veta. Por Bruna para publikut provon adrenalinën e emocioneve të drejtpërdrejta, ndërsa Bruna në film atë që luan nuk ka mundësi ta rikthejë.
Nëse do të bënim një paralelizëm të jetës tënde me jetën në serial…
Në jetën time kam pasur aq aventura sa një vajzë mund t’i ketë. Ndoshta kam takuar shumë njerëz, nga më të ndryshmit, dhe me të vërtetë ndihesh e shpërblyer kur në fund të fundit e gjen njeriun e duhur dhe thua që “nuk dua të njoh më”. E kam gjetur dashurinë time.
Cili nga karakteret në film i afrohet të dashurit tënd?
Asnjëri prej tyre.
Të dyja Brunat mendojnë se ka dashuri?
Të dyja besojnë se ekziston dashuria e vërtetë, ka dashuri që është ndjenja e vërtetë dhe që janë me fat ata njerëz që e jetojnë këtë dashuri. Bruna e filmit mendon se nuk është e lehtë ta gjesh këtë njeri, por duhet ta kesh një ide, e të dyja Brunat e kanë këtë ide.
Është dashuria aventurë për Brunat?
Të dyja mendojnë që dashuria kërkon sakrifica dhe sakrificat bëhen me aventurë. Nëse je i qartë në qëllimet e tua, aventurën e bën më pak të rrezikshme.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura