Bruceloza prek 15 veta, tre raste nga qyteti

Apr 12, 2011 | 11:09
Mjeku Aleks Prifti

SARANDE – Bruceloza mësyn në Sarandë. Një prej sëmundjeve më të rrezikshme që transmetohet nga kafshët te njerëzit, ka gjetur terren muajt e fundit në zonën e Sarandës. Burimet spitalore pranojnë se 15 është numri i personave të prekur nga kjo sëmundje. Mungesa e kontrollit veterinar në shitore të ndryshme të mishit ka shkaktuar prekjen e mjaft njerëzve nga kjo sëmundje, e cila transmetohet nga kafshët te njerëzit. Janë rreth 15 raste të shfaqura vetëm në këto muaj, që nga fillimi i vitit, ku pacientët janë kuruar në spitalin “Petro Nako” të Sarandës. I pyetur për gazetën “Panorama”, mjeku infeksionit Aleks Prifti tha se të prekurit me sëmundjen e brucelozës janë pikasur në fillimet e para të sëmundjes dhe, për rrjedhojë, ka qenë më i lehtë trajtimi klinik i tyre. “Ky numër, për kushtet në të cilat jemi dhe për masat që janë marrë, duhet të jetë shqetësim, sepse mendohet që sistemi veterinar ka bërë vaksinimin kundër këtyre sëmundjeve. Unë nuk gaboj edhe nëse them se këto sëmundje mund të vijnë edhe si rezultat i plehërimit që mund t’u bëjnë perimeve e zarzavateve me plehun e freskët. Mikrobi i brucelozës jeton 2–3 muaj në mjedise të jashtme dhe plehërimi i perimeve që prodhohen pa përpunim termik, mund të jenë shkaku kryesor i transmetimit të brucelozës nga kafsha te njeriu. Këtë e vërtetojnë edhe dy-tri raste banorësh nga qyteti, që kanë rezultuar të sëmurë me brucelozë. Dhe natyrisht që kjo tregon që këta janë prekur nga bruceloza jo nga kafshët direkt, por nga rrugë të ndërmjetme”, pohon mjeku.                                   sh.d

© Panorama.al

Te lidhura