Breshëri në fshat, plagoset babai dhe vajza 11-vjeçare

Apr 14, 2011 | 10:36

Plagosen me armë zjarri babë e bijë në një fshat të Beratit. Sipas policisë së këtij qarku, persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 48-vjeçarin Pëllumb Hoxha nga fshati Samaticë në komunën Kutalli.Por plumbat nuk kanë kursyer as vajzën e tij 11-vjeçare, A.Hoxha. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së martës, kur 48-vjeçari Hoxha ka rënë pre e breshërisë së plumbave, në momentin që ka dalë në oborrin e shtëpisë. Personi që e ka qëlluar me armë duket se i kishte zënë pritë pak metra më tej për të realizuar goditjen, në momentin kur kryefamiljari do të dilte nga banesa. Breshëria e armës ka trembur edhe dy vajzat e tij 16 dhe 11 vjeçe. Kjo e fundit ka dalë menjëherë jashtë për të parë se çfarë po ndodhte, por ajo është plagosur gjithashtu nga një plumb. Breshëria e armës ka vënë në panik edhe fqinjët e viktimës, të cilët kanë dalë menjëherë në ndihmë të tij. Duke shfrytëzuar errësirën, autori është larguar pa lënë gjurmë. “Si pasojë e breshërisë së armës së zjarrit, ka mbetur i plagosur në kokë shtetasi Pëllumb Hoxha, 48 vjeç dhe vajza e tij 11 vjeçe me inicialet A. H.”, bëri të ditur policia. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë nga banorët e fshatit, të cilët janë alarmuar nga të shtënat e breshërisë së armës automatike. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, nga ku konstatuan se ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së Pëllumb Hoxhës.
Ai ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Beratit, por gjendja e tij është përkeqësuar, për shkak të plagës që kishte marrë pas koke. Për këtë shkak, bluzat e bardha e kanë nisur me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Ndërsa vajza 11 vjeçe po trajtohet në Berat, pasi gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën. Burime të policisë bënë të ditur se ngjarja ka shkaktuar traumë psikologjike edhe tek vajza adoleshente e familjes. Mësohet se 16-vjeçarja po trajtohet nga një psikolog, për shkak të gjendjes së rënduar emocionale. Policia tha se ka nisur hetimet, por ende nuk ka të arrestuar për ngjarjen. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja të ketë si motiv ndonjë konflikt të mundshëm të 48-vjeçarit Hoxha për çështje pronësie. Por ekspertët e hetimit nuk përjashtojnë si pistë të mundshme edhe ndonjë histori të mundshme dashurie të vajzës së të plagosurit. Ky i fundit dyshohet të jetë bërë pengesë, e për pasojë janë hakmarrë ndaj tij. Gjithsesi, policia e Beratit bëri të ditur se këto janë dyshime paraprake, por ende nuk mund të flitet për pista zyrtare.

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura