Deputeti i PS-së, Erion Braçe, do të jetë kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë punën e Kuvendit në 5 vitet e fundit. Braçe mori 99 vota pro nga deputetët për të drejtuar komisionin, 5 deputetë të PD-së votuan kundër kandidaturës së tij, ndërsa një tjetër abstenoi. Për tre muaj, Komisioni Hetimor që do të drejtohet nga Braçe, me nënkryetar Jemin Gjanën, do të hetojë veprimtarinë e administratës së Kuvendit. Në seancën e djeshme pati debate mes deputetëve të majtë dhe ministrave mbi projektligjet në axhendë. Deputeti Braçe debatoi me ministrin Bode për disa ndryshime që u votuan në ligjin për akcizat. Ai solli në vëmendje akuzat për kontrabandën e naftës, duke thënë se qeveria ka dështuar në mbledhjen e akcizës. “Shqiptari paguan një pjesë të matrapazëve në treg, kryesisht ata që janë të lidhur me politikën, sepse ata e kanë lehtësinë që të përfitojnë, që të pasurohen dhe në fund fare qeveria ua fal edhe këtë vjedhje. Ky është rasti fatlum, sepse rasti tjetër është vjedhje masive nga paratë publike, nga paratë që njerëzit paguajnë. Unë e kam mirëkuptuar ministrin e Financave kur ka folur këtu për skemën e tmerrshme të çmimeve të ilaçeve, që janë më të shtrenjta edhe sesa në vendet e BE-së, pavarësisht standardit të tyre, por që janë të tilla për shkak të rimbursimit të TVSH-së për të vjedhur qeverinë, ashtu siç e kam mirëkuptuar Prokurorinë në hetimin e saj për naftën ‘Virgine’, si eksport fiktiv, përmes së cilës është marrë rimbursim TVSH-je, dhe kjo është vjedhja e dytë”, tha Brace. Ministri Bode u përgjigj duke thënë se nafta “Virgine” nuk është shitur sepse ka qenë e bllokuar dhe më pas ajo u hoq nga tregu. Sipas tij, kjo lloj nafte është përdorur gjerësisht në kohën e PS-së. “Ju them, nga viti 2008 asnjë gram naftë ‘Virgine’ nuk është hedhur dot në tregun shqiptar, sepse ka qenë e bllokuar. Në të gjithë periudhën e qeverisjes suaj, nafta ‘Virgine’ është shitur dhe tregtuar në mënyrë të pakufizuar dhe është emetuar në tregun e brendshëm. Lejohej edhe për një arsye tjetër, sepse kishte D2 dhe lejohej tregtimi i D2-shit. Qeveria jonë mori masa për të rregulluar tregun e karburanteve, u përjashtua tregtimi i D2-shit; së dyti, u vendos akcizë”, tha Bode. Replika në seancë shkaktoi dhe situata në prag të sezonit turistik, ku ministri Olldashi debatoi me disa deputetë të PS-së. Në seancë u miratuan disa marrëveshje dhe projektligje, si projektligjin “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe projektvendimin “Për caktimin e fondeve publike që do t’u shpërndahen subjekteve zgjedhore për zgjedhjet vendore të vitit 2011”.











