Botimi/ Të rinjtë “zbulojnë” Musinenë përmes librit të Uran Butkës

Feb 16, 2026 | 14:24

uran butkaBARDHYL KOKALARI
ERMAL HALIMI

Ditën e përvjetorit të ditëlindjes së Musine Kokalarit, më 10 shkurt 2026 në shkollën 12-veçare jopublike “Perla” të Vlorës u përurua libri i shkrimtarit dhe studiuesit Uran Butka, “Musine Kokalari një Yllësi”. Merrnin pjesë nxënësit e shkollës, pedagogë, studiues e qytetarë. Fjalën përshëndetëse e çeli presidenti i shkollës z.Petrit Golemi, i cili falënderoi autorin dhe institutin “Lumo Skëndo”, që e sollën këtë vepër të çmuar për heroinën e kombit dhe shkrimtaren Musine Kokalarin tek brezi i ri, tek nxënësit e shkollës, duke biseduar me nxënësit për të ndikuar në edukimin e tyre kulturor, qytetar, moral e patriotik. Mandej autori Uran Butka kumtoi mbi jetën dhe veprën e shkrimtares, politikanes dhe martires Musine Kokalari.

Ai theksoi se ky përurim bëhet në Vlore, sepse bashkëthemelues me Musine Kokalarin të Partisë Social Demokrate (1943) ishin intelektualët dhe demokratët vlonjatë Skënder Muço dhe Isuf Luzaj, një parti që ishte një risi në politikën shqiptare, me një program kombëtar dhe social për liri shoqërore dhe drejtësi politike, bashkëpunim e paqe mes shqiptarëve dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë në krah të aleatëve perëndimorë. Mandej diskutuan pedagogët dhe nxënësit e shkollës, një diskurs rinor i bukur, i argumentuar dhe përgjithësues për veprën e Musine Kokalarit, që pjesërisht po e japim për lexuesit e gazetës “Panorama

NDIKIMI TEK TË RINJTË

Bruna Alliaj, mësuese e Gjuhës Shqipe në shkollën jopublike “Perla”: Sot kemi kënaqësinë e veçantë të jemi bashkë me autorin, shkrimtarin, studiuesin, publicistin Uran Butka. Si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, së bashku me nxënësit më të mirë të shkollës sonë, apasionuar pas artit të fjalës dhe artit të letërsisë, kemi kënaqësinë dhe nderin t’ju mirëpresim sot në ambientet e shkollës sonë. Nxënësit tanë janë të ndikuar thellësisht nga mënyra se si ju e trajtoni artin shqiptar nga përkushtimi juaj ndaj fjalës së shkruar dhe nga qëndrimi juaj si mbrojtës i vlerave letrare.

Kjo na ka nxitur të marrim shkas nga përvoja juaj për ta kthyer leximin në dialog dhe librin në përjetim. Libri juaj u prit me dashuri dhe kujdes të veçantë. Takimi sot përbën një mundësi të rrallë për të afruar të rinjtë me letërsinë e gjallë, me autorin dhe me procesin krijues. Është një mundësi për të dëgjuar nga afër si lind një vepër, si ndërtohet mendimi dhe si fjala merr peshë e mbrohet me bindje. Ky takim do të mbetet gjallë në kujtesën e nxënësve tanë dhe do të shërbejë si nxitje për lexim, mendim kritik dhe sidomos dashuri për librin. Me këtë frymë ju falënderojmë për praninë tuaj dhe për mundësinë që u jepni nxënësve tanë të takojnë nga afër letërsinë dhe autorin e saj.

SI SIMBOLI I YLLËSISË

Ervis Ymeraj, nxënës klasa e XI: Libri “Musine Kokalari një yllësi” është shumë, shumë jetësor, edhe pse nuk ka ngjarje të mëdha, ai trajton botën e brendshme të njeriut, ndjenjat, ëndrrat dhe përplasjen mes asaj që dëshirojmë dhe realitetit ku jetojmë. Së pari, vepra është jetësore sepse flet për ëndrrat dhe mendimet e brendshme, të cilat i përjeton çdo njeri. Personazhi sheh qiellin me yje dhe krijon një botë ideale, më të bukur se jeta e përditshme. Edhe sot njerëzit shpesh ëndërrojnë për diçka më të mirë se realiteti që kanë. Së dyti, tregimi paraqet konfliktin mes ëndrrës dhe realitetit. Personazhi ka një shpirt të ndjeshëm dhe kërkon bukuri e qetësi, por jeta rreth saj është e thjeshtë dhe e kufizuar. Kjo përplasje është pjesë e jetës së çdo njeriu, sepse jo gjithmonë arrijmë atë që dëshirojmë. Gjithashtu, libri është jetësor sepse tregon vetminë shpirtërore dhe ndjeshmërinë e brendshme sidomos të femrës shqiptare të persekutuar nga regjimi. Musine Kokalari u jep rëndësi ndjenjave të holla, duke treguar se jeta nuk është vetëm punë dhe detyrime, por edhe emocione dhe simboli i yllësisë përfaqëson botën e ëndrrave shpresës dhe ideales. Kjo tregon se njeriu jo vetëm jeton me realitetin, por edhe me imagjinatën dhe ndjenjën. Ky libër shumë i bukur, i qartë dhe shkruar me ndjenjë të lartë njerëzore flet për përvojën që i përkasin çdo njeriu: ëndrrat, zhgënjimet, ndjeshmërinë dhe kërkimin për diçka më të bukur në jetë. Për këtë arsye, vepra mbetet aktuale dhe vlerë edhe në ditët e sotme.

NDËRTHURJA E ELEMENTËVE

Marjona Xhelila, nxënëse klasa e XI: Stilistika e librit “Musine Kokalari një yllësi” karakterizohet nga një gjuhë e thjeshtë, e pastër dhe e qartë, por njëkohësisht me një ngarkesë të thellë emocionale. Në të mbizotëron një ton rrëfimtar-refleksiv, i cili e fton lexuesin të ndalet, të reflektojë dhe të përjetojë ndjesitë e autores. Autorja përdor fjali të qeta dhe shpesh të shkurtra, të cilat krijojnë një ritëm intim dhe meditativ, duke e afruar tekstin me prozën poetike. Figuracioni është i kursyer, por mjaft domethënës. Metaforat dhe simbolikat nuk përdoren thjesht për zbukurim, por shërbejnë për të shprehur botën e brendshme të personazheve, kujtesën personale dhe ndjeshmërinë femërore. Përmes këtyre elementeve, autorja arrin të përcjellë emocione të thella dhe përjetime të ndjera, duke e bërë tekstin të afërt dhe prekës për lexuesin. Gjuha popullore dhe fryma folklorike ndërthuren natyrshëm me mendimin personal të autores, duke i dhënë veprës autenticitet, ngrohtësi dhe origjinalitet. Kjo ndërthurje e elementeve tradicionale me reflektimin individual e bën librin të veçantë, duke krijuar një stil të dallueshëm dhe një lidhje të fortë emocionale mes veprës dhe lexuesit.

SI AKT RIKUJTESE

Biorentin Shametaj, nxënës klasa e XI: Letërsia është forma më e pastër me të cilën njeriu i flet kohës. Ajo nuk njeh kufij jete apo vdekjeje sepse fjala e shkruar mbetet, dëshmon dhe jeton. Pikërisht për këtë arsye, sot kemi nderin të ndalemi tek figura dhe vepra e Musine Kokalarit, një autore që edhe pse nuk jeton më, vazhdon të flasë fuqishëm përmes krijimtarisë së saj. Musine Kokalari përfaqëson një ndër ato zëra letrarë që nuk kërkuan zhurmë, por thellësi. Ajo shkroi me ndjeshmëri të rrallë, duke depërtuar në botën e brendshme të njeriut dhe duke shndërruar përjetimin personal në përvojë universale. Në shkrimet e saj gjejmë njeriun përballë vetmisë, mendimit, heshtjes dhe kërkimit të kuptimit të jetës. Letërsia e saj nuk imponon përgjigje, por ngre pyetje dhe pikërisht kjo e bën atë të vlefshme dhe aktuale. Libri “Musine Kokalari Një yllësi”, është një reflektim i qartë i kësaj filozofie. Në këtë vepër, vetmia nuk paraqitet thjesht si dhimbje, por si një gjendje shpirtërore ku njeriu përballet me veten, me kujtesën dhe me të vërtetën e brendshme. Gjuha e përdorur është e thjeshtë në dukje, por e ngarkuar me domethënie, duke treguar mjeshtërinë e autores në përdorimin e fjalës artistike. Ky botim ka një rëndësi të veçantë kulturore, sepse vjen si një akt rikujtese dhe vlerësimi për një autore që ka lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Falë përkushtimit të z. Uran Butka, autorit dhe botuesit, vepra e Musine Kokalarit i rikthehet lexuesit të sotëm, duke krijuar një urë midis brezave dhe duke e mbajtur gjallë trashëgiminë letrare. Në një kohë ku gjithçka ecën shpejt, letërsia e Musine Kokalarit na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe të dëgjojmë zërin e brendshëm. Sot, përmes librit, “Musine Kokalari një yllësi”, ne nuk prezantojmë vetëm një vepër, por nderojmë një mendje dhe një shpirt që jeton përmes fjalës.

Me një nder të veçantë dhe respekt të thellë, mirëpresim z.Uran Butka, autorin e veprës që kemi sot në fokus. Me penën e tij të fuqishme dhe mendimet e thella, ai ka dhënë jetë një historie të pasur idesh dhe reflektimesh, duke na ftuar të ndjekim rrugët e dijes dhe të kuptimit më të thellë të realitetit. Vepra e tij është një dritë që ndriçon errësirën e paditurisë, një thirrje për të zbuluar dhe për të menduar. Sot, ai do të ndajë me ne jo vetëm fjalët e shkruara, por edhe shpirtin dhe pasionin që qëndron pas tyre.

PASQYRA E SË TASHMES

Eliona Hoxhaj, nxënëse klasa e X: Leximi i këtij libri mbi Musine Kokalarin për mua nuk ishte thjesht një proces letrar, por më së shumti një ndjesi intensive. Si shkrimtare e re, ndjeva mbi supe peshën e realitetit të dikurshëm dhe njëkohësisht të sotshëm. Nëpërmjet Musinesë, e shkuara nuk m’u shfaq si histori e largët, por si pasqyrë e një të tashme që ende lufton me të njëjtat frikëra, të njëjtat mekanizma shtypës dhe të njëjtën dilemë themelore: sa kushton të thuash të vërtetën? Në këtë përballje mes së shkuarës dhe së tashmes, u bë i qartë një paradoks i hidhur: në një kohë kur komunizmi etiketohej si sistemi i drejtësisë, Musine Kokalari u dënua pikërisht për guximin e mendimit të lirë. Ndërkaq sot, në shoqëritë e vetëquajtura demokratike, liria e fjalës shpesh mbetet një iluzion, e kufizuar nga presioni i pushtetit dhe nga interesat politike. Duke reflektuar mbi këtë paradoks të tranzicionit tonë të zgjatur, nderojmë martirët e lirisë si Musine Kokalari, por në të njëjtën kohë jemi dëshmitarë të faktit se liria e medias, e akademikëve dhe e qytetarit që guxon të mendoje ndryshe vazhdon të cenohet. Shqipëria sot vuan nga një plagë e vjetër: diktatura e dikurshme ka ndërruar formë, ka ndërruar gjuhë por jo thelb. Ajo është maskuar si domosdoshmëri, si stabilitet, si mbijetesë. Problemi i shoqërisë sonë është se ne kemi shumë zhurmë, por pak zëra; shumë votime, por pak zgjedhje reale. Dikur kishim pranga, sot kemi presion. Dikur kishim izolim, sot kemi emigrim masiv.

Jetojmë në një teatër ku liria na u ofrua si dekor por jo si e drejtë. Frika e humbjes së sigurisë apo e ndëshkimit social e ka kthyer lirinë e fjalës në një koncept që ekziston në letra, por jo gjithmonë në institucione, në hapësira publike apo në ndërgjegjen tonë kolektive. Dua ta mbyll këtë fjalim me një reflektim: nëse sot liria jonë cenohet nga forma të reja të kamufluara si progres, atëherë detyra jonë nuk është vetëm ta kujtojmë Musine Kokalarin, por ta dëshmojmë çdo ditë, me guxim dhe me zë, domethënien e vërtetë të emrit të saj.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura