Borë në Kukës, rikthimi i dimrit izolon komunat

Apr 14, 2011 | 10:30
Qyteti i Kukësit, i mbuluar nga bora e djeshme

KUKES – Rajoni i Kukësit është përfshirë dje nga reshjet e dëborës. Që nga ora 17:00 i gjithë rajoni u zbardh. Përkeqësimi i motit vjen një muaj nga festimi i Ditës së Verës dhe kur mendohej se dimrit i ishte thënë “lamtumirë”. Trashësia e dëborës në qytet deri në orën 20:00 ishte rreth 7 cm, ndërkohë që në zonat e thella dëbora arriti deri në 15 cm. Disa zona, si Shishtaveci, Borja, Zapodi e Arrni janë izoluar brenda orës, ndërkohë që sasi e madhe dëbore ka rënë dhe në portën hyrëse të tunelit të Kalimashit, ku është dashur që të dalin në rrugë dhe mjetet borëpastruese. Trashësia në portën e tunelit ka shkuar në mbi 20 cm. E papritur ka qenë dhe për drejtuesit e automjeteve që janë gjendur përballë vështirësive, pasi nuk kanë pasur me vete pajisjet e nevojshme. Edhe në rrugën e vjetër në Qafë-Mali ka pasur bllokime, megjithëse në raste sporadike ka qarkullim të automjeteve në këtë pjesë të rrugës. Probleme serioze ka pasur në akset kombëtarë Kukës-Krumë dhe Kukës-Dibër. Kjo dëborë ka rënë mbi gjelbërimin e pemëve që ka çelur prej ditësh. Specialistët e bujqësisë thonë se nëse do të ketë temperatura të ulëta dhe ngrica, atëherë kjo do të jetë fatale për bimët e arave dhe pemët, ku pritet një sezon i dështuar. Është rast tepër i rrallë që në mesin e muajit prill të bjerë një sasi kaq e madhe dëbore. Dimri i sivjetshëm, krahasuar me dimrat e kaluar, ka qenë i bollshëm në reshjet e dëborës dhe në ngrica. Parashikohet që edhe dita e sotme të ketë reshje dëbore në të gjithë qarkun e Kukësit, ndërsa situata mund të izolojë edhe zona të tjera të thella.                                  j.h

© Panorama.al

Te lidhura