Bombë me celular makinës, shënjestra e shpërthimit dyshohej për atentate me tritol

Apr 29, 2011 | 10:33
Viktima e atentatit te djeshem ne vlore Renato Abazi (majtas) zjarrfikesit duke shuar flaket ne makinen ku ndodhi shperthimi i telekomanduar

Atentat me telekomandë 38-vjeçarit vlonjat Renato Abazi. Viktima, pronar i një pike lotoje-sporti, humbi jetën në vend pas hedhjes në erë në ecje e sipër të makinës “Opel Corsa”, me targa të huaja.Tre pasagjerët që ndodheshin në mjetin e Abazit janë plagosur, dy shokë të tij, Maringlen Dani, 28 vjeç, Gerti Sulejmani, 34 vjeç, si dhe i afërmi 10-vjeçar i viktimës, Galitano Z. Shpërthimi u realizua rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, në zonën e njohur të Skelës në Vlorë, pranë vendit të njohur si “Rreth-rrotullimi”. Një zonë kjo mjaft e populluar, por dhe me shtrirje të madhe, duket e zgjedhur mirë nga autorët për të kryer shpërthimin e lëndës plasëse në mënyrë të telekomanduar. Dyshohet se një sasi prej rreth 200 gramësh tritol të jetë vendosur në pjesën e sediljes së shoferit e më pas është bërë komandimi me anë të një aparati celular. Në vend u gjet dhe një pako tjetër eksplozivi, prej rreth 100 gramësh tritol, e cila nuk shpërtheu, duke fluturuar disa metra larg zonës ku mbeti pa jetë Abazi.
Nga shpërthimi makina është dëmtuar plotësisht, sasia e eksplozivit ka qenë aq e fuqishme, sa e ka ngritur një metër në ajër mjetin, duke e spostuar disa metra më tutje. Kanë qenë kalimtarët pranë vendit të ngjarjes që e kanë nxjerrë nga automjeti drejtuesin e mjetit dhe pasagjerët, duke i transportuar për në spital. Brenda pak sekondash ka ndodhur një shpërthim tjetër, i cili provokoi zjarrin e fuqishëm, duke shkrumbuar totalisht makinën. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe të policisë, të cilat kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit, por pa mundur ta finalizojnë në kohën e duhur, mbasi mjeti u dogj shumë shpejt. Nga shpërthimi janë thyer edhe xhamat e lokaleve dhe mjeteve të ndodhura në zonën e shpërthimit. Shpërthimi ka shkaktuar panik te banorët, të cilët ishin duke shëtitur përgjatë bulevardit kryesor, në këtë zonë që është dhe nga më të populluarat. Shumë prej qytetarëve janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe nga frika e ndonjë shpërthimi të dytë, madje pati dhe nga ata që janë rrëzuar në tokë nga shpejtësia për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Personat që kanë qenë në lokalet pranë vendit të ngjarjes janë tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm dhe kanë vrapuar për të dalë jashtë lokaleve, ngaqë nuk po merrnin vesh se çfarë kishte ndodhur. Pati dhe nga ata që nuk u rikthyen për të paguar nga hutimi dhe pamjet për të cilat ishin dëshmitarë okularë. Grupi hetimor dhe prokuroria kanë mbërritur në vendngjarje për të këqyrur vendin e ngjarjes, grumbullimin e provave dhe ekspertimin e automjetit, si dhe gjetjen e llojit të lëndës eksplozive që është përdorur për shpërthimin e automjetit. “Nga kryerja e veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se nga shpërthimi me lëndë plasëse është dëmtuar mjeti ‘Opel’ veturë, me targa të huaja AX 646 DT, me drejtues shtetasin Renato Abazi, 38 vjeç, i cili ka humbur jetën. Kanë mbetur të plagosur shtetasit: Maringlen Dani, 28 vjeç, si dhe janë dëmtuar lehtë dy shtetas të tjerë, përkatësisht Gerti Sulejmani, 34 vjeç dhe Galitano Z., 10 vjeç, të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pranë spitalit rajonal Vlorë, jashtë rreziku për jetën”, bëri të ditur Policia e Vlorës.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe pjesë të celularit të përdorur për shpërthimin e lëndës eksplozive.
Specialistë të shpërthimeve kanë vënë në dukje se autorët kanë përdorur shpërthimin me anë të celularit, i cili ka qenë i vënë në pjesën poshtë sediljes së shoferit. Ekspertët kanë marrë si prova materiale copat e celularit që është përdorur për shpërthimin në distancë, kallëpin e tritolit, si dhe prova të tjera të mundshme në vendngjarje, të cilat mund të hedhin dritë në identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës eksplozive në automjet.

Shpërthimi, policia: Për hakmarrje

zjarrfikesit duke shuar flaket ne makinen ku ndodhi shperthimi i telekomanduar

Hakmarrja është pista kryesore e hetimeve të Policisë së Vlorës në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit Renato Abazi, i cili gjeti vdekjen dje pas shpërthimit të eksplozivit në sediljen e tij.Burime zyrtare të Policisë së Vlorës deklaruan dje se viktima e atentatit me eksploziv të telekomanduar, ndonëse ishte person i padënuar, gjurmohej prej të paktën dy vitesh për aktivitet kriminal. Natyra e veprimtarisë kriminale që dyshohet se ka kryer Renato Abazi, sipas policisë, ka qenë pikërisht vendosja e bombave dhe lëndëve plasëse. Agjentët e krimeve të policisë në Vlorë pohojnë se ndaj 35-vjeçarit prej mëse një viti e gjysmë ishte hapur dosje gjurmimi policor në lidhje me dy raste të vendosjes së eksplozivit, në një automjet dhe në një banesë. Të dyja këto ngjarje kanë qenë me pasoja të rënda, ndërkohë që policia pohon se edhe pse i kishte shpëtuar dënimit, 35-vjeçari njihej nga strukturat e Policisë së Vlorës për tendencën e mprehtë të implikimit në veprimtari kriminale. Pikërisht për këtë shkak, policia thotë se Renato Abazi përdorte automjet me targa të huaja, me qëllim që të ishte më i paidentifikueshëm dhe të binte më pak në sy gjatë lëvizjeve të tij. Nisur nga këto të dhëna, për policinë nuk ka asnjë dyshim se objekt i atentatit ka qenë Renato Abazi, ndërsa dy shokët e tij dhe kushëriri i mitur kanë hipur rastësisht paraditen e djeshme, për të lëvizur nga lagjja “Pavarësia” drejt Skelës, ku ndodhej pika e loto-sportit, e administrua nga Abazi dhe të afërm të tij.
Dyshohet se një sasi prej rreth 200 gramësh të jetë vendosur gjatë natës në automjetin ku ka qenë i parkuar pranë banesës së Renato Abazit, nga persona ende të paidentifikuar dhe në rrethana që nuk dihen ende. Autorët i kanë ditur lëvizjet e zakonshme të 38-vjeçarit dhe dje kanë pritur gjatë gjithë mëngjesit që Abazi të hipte në makinën e tij, një “Opel Corsa” me targa të huaja. Qëllimi i tyre ka qenë eliminimi me patjetër fizik i Abazit dhe nuk janë ndalur, edhe pse në makinën ku ndodhej shënjestra hipën dy shokët e tij dhe një fëmijë 10-vjeçar. Pavarësisht personave që nuk kishin lidhje fare me ngjarjet ku dyshohet të ishte përfshirë Abazi, atentatorët kanë pritur orën 11:30. Në këtë moment makina ka hyrë në zonën e hapur dhe, me gjithë lëvizjet e shumta përreth, autorët kanë provokuar shpërthimin e fuqishëm. Ngjarja ndodhi rreth 50 metra larg pikës ku punonte 38-vjeçari, pranë së cilës dyshohet se ishin vendosur dhe autorët. “Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një hakmarrjeje të mundshme për veprimtarinë e shtetasit Renato Abazi dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor”, deklaroi dje zyra për mediat në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Policia e Vlorës ka marrë në pyetje dhe tre personat që ndodheshin në makinë, por nuk bën të ditur shpjegimet e tyre për ngjarjen, sepse edhe deklarimet e tyre kanë qenë të pakta për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë.

Hetimi

Për ngjarjen e rëndë, deri në orët e pasdites janë shoqëruar disa persona, të cilët kanë qenë në vendngjarje si dëshmitarë, familjarë të viktimës dhe kontingjent kriminalë. Pasi janë pyetur, ata janë lënë të lirë sërish. Sipas drejtorit të Policisë së Vlorës, Ylli Metko, po punohet për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarjeje, e cila ka tronditur jo vetëm banorët e Vlorës, por të të gjithë komunitetin shqiptar në prag të çeljes të sezonit turistik.

Provat

Të gjitha provat e mbledhura dje në vendin e ngjarjes do të dërgohen në Laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë. Burimet nga grupi hetimor pohojnë se do të bashkëpunohet me telefoninë celulare, për të kryer hetimet ndaj numrave të celularëve që janë përdorur në shpërthimin e lëndës eksplozive, si dhe zonës ku janë përdorur ato. Një tjetër provë është dhe pakoja me tritol e pashpërthyer, ndaj së cilës do të verifikohen gjurmët e gishtave.

“I shpëtuam në kohë të plagosurit, se makina shpërtheu në flakë”

VLORE – Pas shpërthimit të automjetit, persona të rastësishëm, të ndodhur shumë pranë vendit të ngjarjes, i kanë ndihmuar menjëherë të plagosurit brenda makinës dhe më pas kanë bërë dërgimin e tyre në spital. Një prej tyre ka qenë 52-vjeçari Bashkim Z., i cili ka treguar për momentet e shpërthimit dhe ndihmën për të mbijetuarit.
Ku ndodheshit në momentin e shpërthimit? Si i përjetuat ato çaste?
Në momentin e shpërthimit isha rreth 10 metra larg mjetit, në trotuar. U tremba tmerrësisht, si shumë persona të tjerë që ndodheshin në atë moment duke shëtitur. Për momentin nuk kuptova se çfarë ndodhi. Dëgjova një shpërthim të fuqishëm, u tund vendi dhe u shurdhova nga zhurma e madhe. Shumë prej personave u larguan me shpejtësi, ndërsa unë pas pak e mora veten dhe pashë se kishte shpërthyer një makinë.
Çfarë bëtë në ato momente?
Pashë se brenda saj kishte njerëz dhe njeri prej tyre po mundohej të dilte jashtë. Me shpejtësi shkova për t’i ndihmuar së bashku me disa persona të tjerë. Njëri prej tyre ishte dëmtuar më pak dhe mundi të dalë me pak ndihmë nga makina. Dy persona të tjerë ishin mbuluar me gjak, ashtu si dhe drejtuesi i automjetit, i cili ishte thuajse pa jetë, i copëtuar në trup. Ishte një situatë e tmerrshme, por njeriu u bëka shumë i fortë kur qenka e nevojshme të shpëtosh një jetë njeriu. Në atë moment u bëra shumë i fortë dhe së bashku me personat e tjerë i nxorëm personat e plagosur dhe drejtuesin e automjetit, i cili ishte dëmtuar shumë në të gjitha pjesët e trupit, aq sa me vështirësi e kemi kapur dhe me vështirësi e kemi transportuar për ta futur në një automjet. Pasi i futëm në makina, i dërguam në spital.
Si e përballuat këtë situatë?
Thashë pak më parë se njeriu u bëka shumë i fortë në disa momente. Zoti më dha fuqi për t’i ndihmuar. Pasi u dërguan për në spital, u ula në vend, sepse po më dridhej trupi dhe s’kisha më fuqi të lëvizja, ndoshta më zuri dhe gjaku. Dikush më solli një bidon me ujë dhe më pas e rimora veten. Mbasi i nxorëm njerëzit nga makina, pas pak sekondash i gjithë mjeti u përfshi në flakë. Ishte një situatë e tmerrshme, shpërthim i fuqishëm, njerëz që po largoheshin me vrap nga frika, makina e shpërthyer, njerëz që donin ndihmë. Kur shpërtheu makina ekzistonte frika e një shpërthimi tjetër të mundshëm. Një situatë e tmerrshme, një nga situatat më të vështira të jetës sime.

Kaos në Vlorë, bllokohet lëvizja për një orë

VLORE – Nga shpërthimi është shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor, por dhe të kalimtarëve për rreth 60 minuta, si dhe panik te qytetarët e Vlorës. Ata kanë dënuar ashpër aktin e shëmtuar, ndërsa nga ana tjetër janë ndjerë me fat që nuk janë dëmtuar prej shpërthimit të fuqishëm. Pas përfundimit të veprimeve nga grupi hetimor është normalizuar qarkullimi, ndërsa është bllokuar në cilësinë e provës makina e viktimës Abazi.

“Të zbardhet sa më shpejt ky akt kriminal”

Të tronditur nga ngjarja, të afërm të viktimës Abazi nuk kanë mundur të japin detaje të tepërta mbi jetën e tij. Njëri prej tyre arrin të thotë se Renato nuk ka pasur hasmëri me askënd, por ka qenë korrekt me shoqërinë dhe me të gjithë të njohurit. Sipas tij, Renato punonte në një pikë elektronike lotarie me të afërmit e tij dhe s’ka pasur asnjë problem. Ai ka qenë shumë i qetë dhe s’ka lënë dyshime se mund të ketë pasur ndonjë problem me dikë tjetër. “I bëjmë thirrje policisë ta zbardhë ngjarjen sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që dhe njerëzit e tij të mësojnë pse dhe kush e kreu këtë akt kriminal. Fati ka shpëtuar dhe tre të tjerët që kanë qenë së bashku me Renaton”, pohon ai.

Mjekët: Abazi mbërriti në spital thuajse pa jetë

VLORE – Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Vlorës, në orën 11 e 50 minuta kanë mbërritur të plagosur 4 persona. Tre prej tyre janë futur në minikirurgji, ndërsa Renato Abazi ka qenë thuajse pa jetë kur është futur në sallën kirurgjikale. Mjekët kanë bërë të gjithçka për ta shpëtuar nga vdekja, por ka qenë e pamundur. Nga shpërthimi i fuqishëm, 38-vjeçari e ka pasur të gjithë trupin të dëmtuar dhe humbje të konsiderueshme të gjakut. Pak minuta më vonë mjekët kanë konfirmuar humbjen e jetës së Abazit. Nga ana tjetër u është kushtuar vëmendje tre të plagosurve, të cilët kanë pasur djegie të konsiderueshme, dëmtime të fytyrës dhe çarje të ndryshme në fytyrë dhe në trup. Pas ndërhyrjes dhe marrjes së mjekimeve, aktualisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Për mjekët është mrekulli që 10-vjeçari nuk ka marrë shumë plagë, në krahasim me dy të lënduarit e tjerë. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme të makinës, pas vendit të pasagjerit, duke shpëtuar nga pasojat më të rënda që mund t’i shkaktoheshin.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura