
“Betonizimi i varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë është kryer pa lejen e kishës”.Kështu dëshmoi dje në seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën e Korçës, At Jani Trebicka, priftit që ka në kujdestari manastirin e “Shën Mërisë”, në territorin e të cilit përfshihen edhe varrezat e vjetra të këtij fshati. Procesi rrezikoi sërish shtyrjen për shkak se nuk u paraqit një prej dëshmitarëve kryesorë, kryetari i komunës Drenovë, Flamur Sala.
Por, nga ana e gjykatës u vendos që kryekomunari të thirret forcërisht në gjyq. At Jani Trebicka pohoi se nuk kishte lejuar hedhjen e betonit në varreza, pasi atje ka pasur varre. Sipas tij, edhe më parë kishin dalë eshtra në këto varreza, por jo në pjesën ku u hodh betoni i rrugës. Gjithsesi, ai nuk përjashton mundësinë që betoni të jetë hedhur mbi eshtra. “Në muajt shtator-tetor të vitit të kaluar, kur shkova në manastir, gjeta atje dy punëtorët, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. I pyeta si ishte e mundur që po vepronin pa lejen e kishës? Më thanë se kishin lejen e kryesisë së OMONIA-s dhe unë reagova i revoltuar. Pas reagimit tim ata nuk kundërshtuan, por u larguan për të ardhur një ditë më pas”, dëshmoi At Jani Trebicka. Kleriku ortodoks shtoi se më pas në manastir është takuar me kreun e OMONIA-s të qarkut Korçë, Naum Disho, i cili ka këmbëngulur që kjo punë të kryhej. “Unë, nga ana ime, i bëra një propozim, që pjesa e rrugës së betonizuar të prishej, sepse kishte edhe reagime të banorëve të Boboshticës. Ramë dakord që rruga prej betoni në mes të varrezave të prishej dhe unë, për shkak të detyrimeve të mia, u largova për në Tiranë. Por, porosia ime që të prishej betoni nuk u krye. Eshtra në pjesën ku u hodh ky beton unë nuk kam parë. Di se në manastir janë varrosur murgj. Edhe në varrezat e vjetra të Boboshticës, nga njëra anë e tyre, ku është ngritur një mur, kanë dalë më parë eshtra, por jo në pjesën ku u hodh betoni. Megjithatë, nuk përjashtoj mundësinë që betoni të jetë hedhur mbi varre”, u shpreh më tej At Jani Trebicka. Ai theksoi se për kryerjen e punimeve që konsiderohen dhunim i varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë nuk është marrë leje as tek ai si kujdestar i këtij manastiri, dhe as në kishë. Sipas dëshmisë së dhënë nga kleriku, punimet e kryera në varrezë mund të kenë dëmtuar të paktën një varr, pasi një kryq që vihet te koka e varrit është shkulur gjatë hedhjes së betonit. Pas dhënies së dëshmisë nga ana e At Jani Trebickës, gjykata vendosi që të procedohet me dëshmitarin tjetër, kryetarin e komunës Drenovë, i cili do të thirret forcërisht pasi mungoi në seancën e radhës.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI











