Qyteti i Durrësit rrezikon të mbyllë dyert për turistët për sezonin turistik 2011.Përballë kësaj situate, Bashkia ka ngritur duart pa ofruar asnjë alternativë zgjidhjeje me pretendimin se gjithçka është pasojë e një politike të nderë që ka përfshirë Këshillin Bashkiak, i cili për këtë vit nuk është mbledhur ende. E thënë ndryshe, bregdeti i Durrësit do t’i përngjajë një kantieri mbeturinash dhe nga ana tjetër, turizmi do të përballet me një ulje drastike të të ardhurave. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Bashkia kishte gati elementët promovues për turizmin, ndërsa ishin marrë të gjitha masat për një bregdet të pastër dhe të denjë për çdo pushues, ndërkaq këtë vit panorama paraqitet ndryshe. Bëhet fjalë për një fond prej 3 milionë lekësh, që mban larg promovimin e turizmit të pjesës më të bukur të Adriatikut. Sokol Kokomani, drejtor i departamentit të shërbimeve në Bashki, lëshon alarmin për sabotimin e sezonit turistik që po i bëhet, sipas tij, nga koalicioni PD–LSI, në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Sipas Kokomanit, e gjithë kjo fushatë e ndërmarrë nga ky koalicion që ka shumicën në Këshillin Bashkiak me ndëshkimin e sezonit turistik, ka për qëllim që të dëmtojë punën dhe imazhin e Bashkisë në prag të zgjedhjeve vendore. “Kur na ndan 1 muaj nga çelja e sezonit turistik 2011, kundërshtarët tanë presin ta miratojnë buxhetin me këshilltarë të rinj, për arsye se në këto momente, për shkak të fushatës elektorale, Këshilli Bashkiak e ka të pamundur mbledhjen. Kjo tregon më si miri se gjithçka ishte e planifikuar për të denigruar figurën e institucionit të Bashkisë sonë, e cila ka dhe ka pasur gjithnjë si prioritet zhvillimin e turizmit”, ka thënë ndër të tjera kreu i departamentit të shërbimeve në Bashkinë e Durrësit. “Fushata elektorale, e cila do të zgjasë një muaj, pothuajse pengon të gjitha investimet për projektet që janë përcaktuar. Bashkia e ka gati buxhetin, por, për arsye politike, Këshilli Bashkiak nuk mblidhet për ta miratuar. Kemi shumë probleme me promovimin, por mosmbledhja e Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetin të 2011, rrezikon të ndëshkojë rëndë turizmin, sezonin veror të këtij viti”, u shpreh Kokomani. Gjatë viteve të kaluara, plazhi i Durrësit ka paraqitur një sërë problemesh, të cilave këtë vit do t’u shtohen të tjera, duke nisur që nga ndotja e bregdetit dhe deri tek mungesa e promovimit të bregdetit durrsak, nëpërmjet fletëpalosjeve apo spoteve promocionale si dhe të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe argëtuese. Përgjatë 3.4 kilometrave vijë bregdetare, që përfshin pjesën e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në sektorin Iliria, pastërtia qëndron në të njëjtat parametra, me kazanë të rrethuar nga mbeturinat, pa llogaritur këtu mungesën e sinjalistikës në zonën e plazhit. Sipas burimeve zyrtare nga zyra e turizmit, në Bashkinë e Durrësit, nga 68.1 km bregdet i shfrytëzueshëm, përdoret vetëm 6.8 km”, por këtë vit edhe kjo pjesë, që deri me dje shfrytëzohej maksimalisht, duket se do të shndërrohet në burim të ndotjes.
Vlorë, më shumë investime në qytet se plazh, Bashkia: Jo për fushatë
VLORE – Ndryshe nga Durrësi, në qytetin e Vlorës, nënkryetari i Bashkisë deklaron se po kryhen një sërë investimesh, pasi fushata nuk po e cenon sipas tij përgatitjet për sezonin e ri turistik. Ilir Banushi thekson se nuk po veprohet vetëm në zonën turistike, por në të gjithë qytetin e Vlorës, me qëllim përgatitjen për një sezon turistik sa më të suksesshëm. Sipas numrit 2 të bashkisë, brenda qytetit po rikonstruktohen disa rrugë kryesore, siç është ajo që lidh sheshin e flamurit me skelën, rrugë në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë kampit, rruga e unazës etj. Ndërsa për zonën e plazhit, Banushi pohon se nuk parashikohen investime të mëdha, pasi nuk është e nevojshme një gjë e tillë. “Plazhet duan vetëm pastrim, përpunim të rërës dhe sistemim, thuajse do të investohet aq sa është investuar një vit më parë. E reja është se në zonat e plazheve do të hapen parkime automjetesh dhe më kryesorja për autobusët që vijnë nga rrethe të ndryshme apo nga jashtë Shqipërisë, si Kosova apo Maqedonia. Në plazhin e ri publik do të jenë çadra dhe shezlone falas për pushuesit, ndërsa në plazhin e vjetër do të investohet pak më shumë, sepse do të kryhet edhe rikonstruksioni i rrugës pranë ish-parkut të Tregtisë, me qëllim që pushuesit të mos kenë vështirësi”. I pyetur nga gazeta nëse Bashkia po i kryen këto investime si brenda qytetit dhe në zonat turistike në kuadër të fushatës elektorale, nënkryetari i Bashkisë së Vlorës e mohoi këtë fakt. “Investimet janë miratuar nga Këshilli Bashkiak. Ato do të kishin përfunduar muaj më parë, por vonesa në miratimin e buxhetit solli dhe vonesat. Pra, nuk po hidhet asnjë lek jashtë parashikimeve në buxhet”. Megjithatë, përfundimi i këtyre investimeve do të jetë në fillim të qershor, edhe pse vera ka mbërritur në atë kohë. q.b
Turizmi, Saranda optimiste për sezonin
“Në Sarandë sezoni turistik ka nisur, edhe pse nuk është hapur zyrtarisht”. Ky është konkluzioni që të japin në drejtorinë e turizmit në Bashkinë e qytetit të Sarandës. Drejtori i saj në Bashkinë e Sarandës, Aristotel Bita, duke folur për gazetën, tregon në detaje përparësitë që do të sjellin rritjen e numrit të turistëve për sezonin e ri, 2011. “Tregu turistik rajonal ka një rritje 30–40%. Kjo duket tek rezervimet në hotelet e Korfuzit përballë Sarandës, por edhe të Greqisë në tërësi. Dhe ky fluks në vendet e rajonit, natyrisht që ndikon edhe tek ne. Numri në rritje i kruazerave, (e para në mars me 700 turistë dhe e treta ditën e djeshme me 365 të huaj në bord) tregojnë se sezoni tek ne ka nisur”, thotë Bita, duke shtuar dhe vizitat e fundit nga studentë nga Mali i Zi e Kosova. “E veçantë për këtë vit është edhe krijimi i një ndërmarrjeje të re shërbimesh me 40 punonjës, me fond të vetin të miratuar nga Këshilli Bashkiak, e cila ka si funksion të merret me sistemimin e plazheve, banjave publike dhe trotuareve, deri edhe me gjelbërimin e qytetit. Investimet e miratuara nga Këshilli Bashkiak për sezonin turistik nuk ndikohen fare nga fushata zgjedhore”, thekson drejtori Bita. sh.d
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











