Blerim Destani: Adrenalinë e veçantë mes drogës, armëve dhe seksit

Mar 15, 2014 | 15:40

Aktori i njohur, protagonist kryesor në filmin  “Amsterdam Express”
 
Ka përjetuar parajsën dhe ferrin në Holandë, vendi ku është xhiruar filmi më i ri i Fatmir Koçit. Aktori i njohur Blerim Destani luan protagonistin kryesor në “Amsterdam Express”, filmi që do të shfaqë premierën më 27 mars në Tiranë. Mes parasë, drogës dhe seksit, Blerimi provon një dimension tjetër të jetës gjithë adrenalinë, ku gjithçka zbutet me puthjet e tij të kinemasë. Sa pranë apo sa larg e ka ndier ai veten me këtë rol, e zbulon në këtë intervistë për gazetën “Panorama”. Duke folur për jetën jashtë aktrimit, ai përmend martesën si një nga planet e tij.
 Je protagonist kryesor në filmin “Amsterdam Express” të regjisorit Fatmir Koçi. Si je ndier në aventurat plot rreziqe, të përjetuara në një vend si Holanda?
Ishte një përvojë shumë e mirë dhe e veçantë për mua. Pas ekperiencës që patëm në një film epik siç ishte “Koha e kometës”, u takuam përsëri kësaj here me Koçin në një mjedis urban dhe me histori bashkëkohore, pikërisht për filmin “Amsterdam Express”. Rolin e Bekimit në këtë film të ri e kam përjetuar fuqishëm, pasi vetë roli ashtu si edhe filmi është përplot me përjetime të thella emocionale, tension e aksion. Kemi punuar me përkushtim dhe shpresoj që filmi do të pranohet mirë nga publiku.
Drogë, armë, para, burg, armë, seks, prostituta, por edhe pasion e romancë ka në skenat e tij. Ke aktruar në një realitet të egër apo jo?  
Është e vërtetë që filmi ka shumë tension dramatik, aksion dhe kthesa të papritura emocionale të personazheve. Ishte një përjetim i mirë për të bartur këtë tension nga njëra skenë në tjetrën. Jam ndier shumë mirë nga bashkëpunimi me të gjithë kolegët, si dhe me ekipin e filmit.   
Në kryeqytetin holandez përfshihesh në aktivitete kriminale dhe në një tjetër raport intim, duke përfunduar kështu mes trazirave dhe dy dashurive. Një mashkull si ti di t’i menaxhojë dy zjarre?
Në film, personazhi im gati digjet nga këto dy zjarre. Në jetën private, ende jam larg një mundësie të tillë.
Në trailerin e filmit ti i drejtohesh të dashurës me fjalët: “kam punuar si kafshë për ne të dy, për shtëpinë tonë”. Në jetën tënde je sforcuar për të mbijetuar?
Kuptohet që po. Që në moshë të re kam qenë i angazhuar në shumë punë jashtë shkollës, pasi në familjen time puna ka qenë dhe është gjëja më e vlerësuar. Në shumë raste e kam sforcuar veten për të punuar që të kem më shumë sesa kisha.
Flonja Kodheli, James Biberaj, Bujar Lako, Raimonda Bulku, Olta Gixhari, etj., janë protagonistë po ashtu në këtë film. Cili prej tyre të ka impresionuar?
Siç e thashë më sipër, kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë brenda ekipit të aktorëve. Unë kam përshtypje shumë të mira nga secili koleg dhe nuk dua të veçoj emra.
Antagonisti në film është James Biberaj, aktori shqiptar pjesëmarrës në disa filma hollivudianë. Si e luan miqësinë me një kriminel?
James Biberaj është profesionist i rrallë dhe aktor i mrekullueshëm. Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Saqë në shumë raste më habisnin raportet miqësore që kishim pas kamerës dhe më pas para kamerës shndërroheshim në armiq të përbetuar.
Je ndier ndonjëherë i tunduar nga paratë e shpejta, që mund të fitohen përmes drogës dhe skllaveve të seksit?
Asnjëherë!
Në film përjeton dhe burgun. Do e përballoje dot në jetën reale kufizimin e lirisë?
Jeta është e bukur me gjithçka që sjell me vete.
Momentet romantike e zbusin aksionin në film. Puthja jote me aktoren që jeton në Francë, Flonja Kodheli, ishte më perfektja për ty?
Çdo puthje është e veçantë, qoftë në jetë ose në film. Kjo varet para së gjithash nga partnerja, nga rrethanat dhe ajo që ndodh mes dy të dashuruarve, që i çon deri te puthja. Nuk e kam si synim, siç thoni ju, “perfeksionimin” e puthjes, por thjesht vetëm e shijoj.
Për elementet e përdorur si para, seks dhe drogë, ky film ngjason me “The Wolf of Wall Street”, ku luan Leondardo DiCaprio. Të erdhi keq që Leo doli pa gjë nga nata “Oscar”?
Mendoj se bujën e bënë më shumë mediat dhe fansat e tij. Jam i bindur se vetë Leo e ka të qartë që ai më parë ka pasur role më të arrira, me të cilat ka qenë pretendent serioz për çmimin.

“Në planet e mia është edhe martesa”
Kujt i thua momentalisht “të mendoj çdo ditë, më ka marrë malli për ty”, ashtu si në film?
Njeriu në shumë momente ndihet i kapluar nga malli për dikë apo diçka. Edhe unë po ashtu. Kuptohet që, kur më kaplon kjo ndjenjë edhe e shpreh, por më pëlqen që këtë të mos e shpreh nëpërmjet telefonit.
Këtë prill ti mbush 33 vjeç, atë që konsiderohet mosha e Krishtit. Është kjo një fazë e bukur e jetës sate?
Çdo moshë e njeriut ka të veçantat e veta. Pra, edhe mosha në të cilën gjendem tani, pasi në këtë moshë njeriu ka më shumë referenca personale. Mund të them që më shijon shumë kjo moshë.
Asnjëherë nuk ke folur për dashurinë në media. Momentalisht je me një femër në krah, që të bën të ndihesh i plotësuar? Është martesa në planet e tua?
Në media preferoj të flas për punën time, pasi ajo është publike, ndërsa për jetën private nuk preferoj të flas, pasi vërtet dua që ajo të mbetet private dhe e imja. Mund të them që gjithçka në jetë i paraprin një plan, pra edhe gjërat që përmend janë të planifikuara.
Partnerja jote duhet të jetë patjetër aktore?
Nuk është e domosdoshme. Mjafton vetëm të ma rrëmbejë zemrën.
Vazhdon të mendosh që seksi është një sport që do endergji për t’u marrë me të?
Çdo aktivitet që harxhon energji, për ta praktikuar duhen gjeneruar energjitë e nevojshme.
Ka pasur momente në jetën tënde kur mund ta quaje veten “murg” për sa u përket marrëdhënieve me femrat dhe kur ka ndodhur kjo?
Jo, femrat janë pjesë e së bukurës në jetë, ndërsa unë të bukurën e kam dobësi.
Nga pasioni për parfumet dhe deri te purot, çfarë hobesh të tjera ke ende për të na zbuluar?
Makinat, futbolli dhe e bukura në përgjithësi.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura