Rimbursimi i TVSH-së është ngritur edhe një herë si problem nga bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjatë një takimi me avokatin e Tatimpaguese Artur Papajani. Vonesat e herëpashershme që ndodhin në procedurën e rimbursimit kanë shtyrë biznesmenët e pranishëm, të interesohen nëse mund të gjejnë zgjidhje lidhur me këtë pikë pranë avokatit. Papajani vetë e ka konsideruar çështjen e rimbursimit si një nga pikat më të diskutuara në marrëdhënien tatimpagues-Tatime. “Çështje a rimbursimit të TVSH-së është një nga çështjet më të nxehta që e kalon temperaturën 40 gradë mes tatimpaguesve dhe tatimorëve. Ne na e lejon statusi dhe ligji që të merremi me këtë çështje, sepse është një çështje procedurale. Si e tillë, kushdo që ka problem me rimbursiminin e TVSH-së, nëse nuk është rimbursuar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, duhet të vijë tek avokati i tatimpaguesve”, tha Papajani. Nga ana tjetër, ai theksoi rëndësinë që ka institucioni i Avokatit të Tatimpaguesve, si një garanci më shumë që ligji do të zbatohet kjo edhe falë bashkëpunimint që bëhet me të gjitha drejtoritë e tatimeve. Tjetër shqetësim i ngritur nga biznesi ishte ai lidhur ma akcizën, por fakti që tashmë kjo taksë do të vilet nga doganat ka sjellë propozimin e ngritjes së një institucioni identik si Avokati i Tatimpaguesve pranë Doganave.











