Pikërisht, nga ky ekzagjerim do të nisë ndryshimin. Republika Kazmahu, kandidatja e PS-së në koalicionin “Aleanca për të ardhmen” që garon kundër demokratit Dashnor Aliko për komunën e Lazaratit, paralelisht ka vendosur që të lobojë me një grup të rinjsh për një imazh “të pastër” të kësaj zone. E ndihmuar edhe nga popullariteti që fitoi nga spektakli “Big Brother Albania 2”, Republika Alias Bika e Lazaratit, duket se ka besim në fitore, edhe pse llogaritë politike në këtë zonë janë shumë të vështira. Ajo gjendet përballë një sfide shumë të madhe, pasi i duhet të ngjyrosë në rozë një njësi administrative, që socialistët jo vetëm që nuk e fitojnë prej kohësh, por edhe nuk shkelin aty që prej vitit 2000. Konkurrimi bëhet akoma më i vështirë, duke marrë parasysh që Bika është e vetmja femër kandidate në historikun e zgjedhjeve elektorale në Lazarat, megjithatë, mbase ky fakt do të jetë pikërisht avantazhi i saj. “Mendoj se do të votojnë një femër, sepse: Nëse burri është i madh në botë dhe në shekuj, çdo anë e madhështisë së tij, është rritur nga gruaja”, thotë Bika, e cila ka marrë “bekimin” drejtpërdrejt që nga kryetari i PS-së, Edi Rama, ndërsa kronologjia e rrëfimit të saj për “Panorama”, nis që në fillimet e angazhimeve të saj në politikë.
Kur datojnë fillimet tuaja në PS dhe a keni teserë partie?
Që në momentin kur kjo forcë politike u bë pjesë e shqetësimeve të mia dhe i shumë të rinjve si unë, që jemi endur pa fund dyerve të administratës. Nuk kam teserë partie momentalisht, por shumë shpejt do ta marr.
Si ndodhi që u zgjodhët kandidate e PS-së dhe a e prisnit?
Kam përfunduar arsimin e lartë për Gjuhë-Letërsi që në vitin 2006. Dhe që nga ky vit e deri më sot, jam e papunë. Kështu si unë, janë edhe shumë të rinj e të reja, pa punë dhe pa alternativa. Jemi endur më kot dyerve të administratës së shtetit, me diploma nëpër duar, me shpresë se diçka do të ndryshojë. Askush nuk na ofroi ndonjë alternativë punësimi, askush nuk denjoi as të na dëgjojë. Ndërkaq, drejtuesit aktualë të Partisë Socialiste në Lazarat ishin të vetmit, që jo vetëm që dëgjuan shqetësimet e brezit të ri, por edhe u bënë palë me ne në këto shqetësime. Për këtë, ata më zgjodhën pikërisht mua si përfaqësuese e brezit të ri në zgjedhjet lokale.
A mendoni se ka ndikuar popullariteti juaj nga “BB2” në përzgjedhjen tuaj si kandidate?
Pjesërisht ka ndikuar edhe “Big Brother Albania 2”, por arsyet kryesore kanë qenë ato që radhita më sipër.
Lazarati njihet ndryshe edhe si “bastion i PD-së”. A nuk i frikësoheni humbjes, sepse ende pa hyrë në garë, shanset tuaja janë të vogla për të fituar?
Jo, sepse cilido që i hyn një barre të tillë, luan shanset e tij. Historia është pjesë teatrale e përjetshme, që e luajnë përherë aktorë të rinj. Ndaj, i bëj thirrje rinisë së Lazaratit, që të marrë fatet e veta në duar dhe së bashku të ndryshojmë këtë realitet të trishtë.
Ndërkaq, përballë keni konkurrent një mashkull dhe dihet që Lazarati njihet edhe si “zonë të fortësh”. Pse mendoni se elektorati në këtë lloj situate do të votojë një femër?
Më vjen keq që i keni vendosur këtë etiketim, kur banorët e Lazaratit janë më së pari njerëz që luftojnë dhe punojnë për të jetuar ndershmërisht. Mendoj se do të votojnë një femër, sepse: nëse burri është i madh në botë dhe në shekuj, çdo anë e madhështisë së tij, është rritur nga gruaja.
Po ashtu, Lazarati njihet si zona më problematike e hashashit, duke u cilësuar si “parajsa kolumbiane në Shqipëri”, si edhe më e vështira për t’u kontrolluar nga policia. Pra, këtë zonë nuk e ka bërë dot “zap” shteti, a mendoni se mund ta bëjë Republika?
Jam e mendimit se emri i Lazaratit është keqpërdorur në media. Që në momentin që mediat dëgjojnë LAZARAT, ky emër përbën lajm për ta, duke harruar vlerat e tij që duhet t’i njohë mbarë opinioni publik. Krahasimi me “parajsën kolumbiane” është i ekzagjeruar. Në media kemi dëgjuar dhe parë që Kolumbia është një vend, ku të rinjtë vriten përditë në trafiqe droge. Me Lazaratin është fryrë situata, pasi të tilla ngjarje nuk ndodhin këtu, ndërsa një postë policie po funksionon më së miri në qendër të tij.
Çfarë mendoni të bëni konkretisht për eliminimin e Lazaratit nga harta e hashashit dhe e krimit?
As këtë nuk e pranoj dot, më vjen keq. Nuk është e vërtetë që Lazarati bën pjesë në hartën e drogës dhe të krimit. Madje, në lajmet e përditshme për vepra penale dhe sidomos për krime monstruoze, në Lazarat nuk ka pasur ndonjë autor të tillë.
Në gjithë këto deklarime tuajat, i bie që Lazarati është pa probleme dhe çdo gjë funksionon më së miri. Atëherë, duke qenë se nuk paska probleme, pse duhet alternativa Republika si kandidate në zgjedhje?
Për shumë gjëra, ja, duke filluar që nga ndryshimi i imazhit për Lazaratin. Jemi një ekip rinor që duam të heqim njollat që janë lëshuar pa të drejtë mbi zonën tonë, por edhe të gjejmë alternative punësimi dhe pse jo, edhe argëtimi.
Më konkretisht, çfarë ofroni ju për banorët e Lazaratit?
Unë jam përfaqësuese e brezit të ri dhe mendoj se brezi i ri është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve të Lazaratit. Do t’ia nisim që nga ndryshimi i epitetit mediatik, te administrata, te ambienti, te sporti e deri te detaje të tjera të vogla, por që do të bëjnë ndryshimin e madh të komunitetit lazaratas.
Cilët janë personat që po u rrinë pranë gjatë kësaj fushate?
Të rinj dhe të reja, të arsimuar, por shumë prej tyre të papunë, të cilët i janë bashkuar alternativës socialiste, si zgjidhja më e mirë. Normalisht, kam një mbështetje të madhe edhe nga strukturat socialiste.
Direkt, edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama?
Sigurisht, edhe nga ai, por fillimisht kanë qenë strukturat e PS-së këtu në bazë, që më kanë propozuar si kandidate. Më pas kam takuar personalisht dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili më mbështeti dhe më uroi fitoren.
Po ish-banorët e “Big Brother Albania 2”, a kanë shprehur gatishmëri për t’ju ardhur vullnetarë në fushatë. Po fansat?
Një pjesë e mirë e ish-banorëve të “BBA2” më ka uruar suksese dhe mbështetje, ndërsa fansat janë të mirëpritur dhe nderuar për të më ndihmuar në fushatë. Pse jo, edhe të marr dhe dëgjoj këshilla prej tyre.
Kemi dëgjuar ca herë nëpër komente FB që edhe ju “kanë fejuar”. A mund të dimë diçka nga jeta private e Republikës, duke qenë se tashmë jeni person publik zyrtarisht?
Më vjen keq, por jetën time private nuk dua ta përfshij në atë politike.
“Lazarati, krenar për Bikën në Big Brother”
Pritej të ndëshkohej moralisht nga mentalitete të vjetruara, por pikërisht nga ato, si edhe të rinjtë, ajo u shpall “krenaria e Lazaratit”. Me pjesëmarrjen në edicionin e dytë të “Big Brother Albania 2”, Republika Kazmahu sfidoi mentalitetin dhe ligjet e pashkruara në Lazarat. Ndryshe nga sa pritej, guximi i treguar prej saj u kthye në vlerë dhe në moral të ri për këtë zonë, se si duhet të jenë vajzat shqiptare. “Qëndrimi i saj brenda shtëpisë së Big Brother-it ka qenë shumë korrekt”, “Bika është shembulli se si duhet të sillen femrat shqiptare”, “Asgjë nuk ka ndryshuar tek ajo gjatë kësaj kohe të qëndrimit në shtëpi. E fakti që ka thyer një mentalitet, tregon për një frymë të re”, “Bika është krenaria e Lazaratit”, janë disa prej komenteve më të shpeshta të kohës kur ajo qëndroi e mbyllur me bashkëjetesë për disa javë, në shtëpinë që vëzhgohej 24 orë. Edhe pse ajo nuk arriti të ishte fituese e këtij spektakli dhe u eliminua nga mesi i garës, për banorët e Lazaratit, vetë pjesëmarrja e saj aty ishte një fitore morale.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











