TIRANE – Trupa e gjyqtarëve, që shqyrton dosjen në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit tek Krimet e Rënda, do të qëndrojë e pandryshueshme. Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dy ditë më parë kërkesën e të pandehurit Lulzim Berisha për përjashtimin e trupës gjykuese. Fakti u bë i ditur në seancën e djeshme në ngarkim të bandës nga kryesuesi i seancës, gjyqtari Gurali Brahimllari. Kryesuesi njoftoi palët se kërkesa e të pandehurit Berisha në lidhje me përjashtimin e trupës ishte rrëzuar nga një trupë tjetër gjykuese e Krimeve të Rënda, si kërkesë e pambështetur në ligj dhe në prova. I pandehuri Berisha e kishte depozituar këtë kërkesë pak kohë më parë me pretendimin se trupa gjykuese ishte treguar e njëanshme gjatë shqyrtimit gjyqësor. Ndërkohë, seanca e djeshme e këtij procesi nuk u zhvillua. Shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës u bë mungesa e dy avokatëve. Ata linin pa mbrojtje tre të pandehur, të cilët nuk ishin prezentë në sallë. “Për shkak se avokatët mungojnë dhe të pandehurit e tyre nuk janë në sallë, seanca nuk mund të vijojë”, u shprehën prokurorët, të cilët kërkuan më pas edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit. Procesi në ngarkim të bandës së Durrësit ndodhet në fazën e paraqitjes së provave shkresore të mbrojtjes në proces. ar.ba











