
Nis xhirimet prodhimi më i ri i TVSH-së, gati në tetor.
I nxitur nga një ngjarje e vitit 1999, filmi thriller shtrihet nga vitet ’80 në 2000.
Një vajzë që vritet, një hetues i ri që kërkon të zbardhë ngjarjen, një shoqëri e tërë që zbulon problematikat e saj. “Millenium” titullohet filmi serial i regjisorit Besnik Bisha, që ka nisur tashmë xhirimet. Ndërsa është në valën e punës, regjisori Bisha shkëputet për pak për të treguar detaje nga filmi më i ri, prodhim i Televizionit Publik Shqiptar. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një telenovelë, si ato që kemi parë në ekranin e televizionit publik. I gjithë filmi vërtitet rreth një vrasjeje, por nuk bëhet fjalë për një film mirëfilli policesk. Në rrugën në kërkim të vrasësit, ai bën edhe një “skaner” të shoqërisë shqiptare, prej viteve ’80 në vitet 2000. Sa i takon kastit të aktorëve, mes tyre dallon emra si Ndriçim Xhepa, Enea Zhegu, i njohur të gjithë për rolin e Tomkës, që shënon një rikthim në kinema, Ervin Bejleri, por edhe tri vajza bukuroshe: Olta Gixhari, Klea Huta dhe Eralda Hitaj, që pa dyshim do tërheqin vëmendjen e audiencës

Aktoret:
Ndriçim Xhepa
Enea Zhegu
Ervin Bejleri
Olta Gixhari
Klea Huta
Eralda Hitaj
Spiro Duni
Amos Zaharia
Armand Xhuli
Kristaq Pilo
Pas filmit “Mao Ce Dun” i ktheheni sheshxhirimit me një serial…
Ky është një film i ndarë në 5 seri, por është konceptuar si një i tërë. Nuk është koncepti i një telenovele. Ndoshta edhe për faktin që destinacioni është ekrani i vogël, por fare mirë ai mund të ishte një film i gjatë 2 orësh.
Në ambientet që po xhironi, shohim foton e ish-presidentit të Republikës, Rexhep Meidani, ngjarjet zhvillohen në atë periudhë?
Filmi vendoset në tri kohë, në vitet ’80, ’90 dhe 2000. Është një lloj sage, është historia e një shoqërie në këto etapa, me shqetësimet e kohës. Dhe vetë titulli “Millenium” lidhet me shekullin e ri, me disa probleme, të cilat unë i ngre dhe jap gjithashtu edhe opinionin, qëndrimin tim ndaj këtyre tyre.
Shtrirja e ngjarjeve në tri etapa do të thotë që në një farë mënyre ju i gjeni rrënjët e problemeve që trajtoni, pikërisht në periudhën e diktaturës…
Nuk është qëllim në vetvete për të treguar se problemet vijnë për shkak të trashëgimisë nga një shoqëri totalitare. Arsyeja është te vetë njeriu, me komplekset e tij, me të mirat dhe të këqijat, që në rrethana të caktuara zhvillohen në forma të ndryshme. Është si puna e qelizave kanceroze, të cilat ekzistojnë te njeriu, por në një moment të caktuar ato zhvillohen, derisa i marrin jetën. Kështu edhe këto shqetësime, probleme, janë pjesë e një shoqërie dhe në një moment të caktuar gjejnë terren për t’u zhvilluar dhe për t’u rënduar. Sigurisht. Filmi ka për qëllim që të prekë çdo shikues, që brenda çdo personazhi të shikojë të njohur, njerëz që i ka ndeshur gjatë jetës së tij.
Televizioni Shqiptar ka prodhuar edhe më parë seriale, të cilat fokusohen më së shumti te probleme si trafikimi, prostitucioni. Cila është linja që ndjek seriali juaj?
I kam parë filmat që janë shfaqur në TVSH dhe për këtë duhet falënderuar ky televizion që merr të tilla nisma. Por ka një ndryshim. Kemi të bëjmë me një gjini tjetër. Nuk kemi të bëjmë me një telenovelë, por me një film artistik, serial dhe shumë gjëra ndryshojnë, që nga teknika, mënyra si xhirohet etj. Sa i takon temës, ajo është më e thelluar, e parë me një sy tjetër, ka tjetër fantazi, që filmi artistik e kërkon në raport me telenovelën.
Veç një problematike komplekse që ju e “huazoni” nga realiteti i përditshëm, ka ky film një histori të vërtetë ku mbështetet?
Unë do ta shënoj edhe në film, që çdo përngjasim me ndonjë histori të vërtetë është thjesht rastësi. Nuk ka asnjë histori të vërtetë në film. Gjithçka sillet rreth një vrasjeje. Mbi të unë ndërtoj një thriller, ku përfshij dhe të gjitha problemet që më shqetësojnë mua, por dhe gjithë shoqërinë tonë.
Fatkeqësisht vitet e fundit janë shënuar shumë vrasje femrash, të mbetura pa autor. Është “rasti” juaj “fatlum”, arrini ta gjeni vrasësin, duke përcjellë kështu edhe mesazhin e “fitores” së drejtësisë?
Gjetja e autorit është pjesë e fabulës, por qëllimi i filmit është për të shkuar, për të zhbiruar deri në fund tek arsyeja e vrasjes. Dhe arsyeja buron nga vetë qenia njerëzore që ka brenda vetes dhe të mirën dhe të keqen, dashurinë e urrejtjen. Nuk është një film i mirëfilltë policesk, por nëpërmjet kërkimit të vrasësit zbulohen gjithë karakteret e personazheve. Kjo histori, kjo vrasje që ka ndodhur, i vë të gjithë personazhet në një vetëzbulim të karaktereve dhe marrëdhënieve të tyre me njëri-tjetrin.
Si një film që shtrihet në 5 pjesë, duhet të ketë edhe një kast të gjerë aktorësh, cilët janë të përzgjedhurit tuaj?
Tashmë kemi xhiruar një pjesë të mirë të filmit dhe jam shumë i kënaqur me gjithë kastin e aktorëve. Kam një gërshetim të aktorëve me përvojë dhe atyre më të rinj, si Ndriçim Xhepa, Enea Zhegu, që shënon një rikthim në kinema. Jam i kënaqur që bashkëpunoj me Ervin Bejlerin që ka edhe rolin kryesor, atë të hetuesit, kam tri vajza aktore, njëra më e mirë se tjetra: Olta Gixhari, Klea Huta dhe Eralda Hitaj, që i japin freski kinemasë, por kemi edhe Spiro Dunin, Amos Zaharinë, që ka një personazh shumë simpatik, dy aktorë të tjerë që mund të quhen gati një zbulim: Kristaq Pilo e Armand Xhuli.
Tashmë dihet se sa të vështirë e kanë kineastët për të siguruar buxhetet e filmave, si ju ka ecur në këtë drejtim?
Ky është një prodhim i TVSH-së. Brenda një krize ekonomike që po përjeton gjithë bota sot, edhe ne nuk mund të themi se jemi të kamur në këtë film, por deri tani nuk kemi asnjë problem në këtë drejtim dhe në bashkëpunimin me gjithë elementet e tjera, që nga skenografia, kostumet, fotografia etj.
E vështirë për të gjetur sheshxhirimet për t’iu përshtatur viteve ’80?
Ka vështirësitë e veta, por kemi punuar shumë për të ndërtuar një realitet artistik që i ngjan atij fizik të viteve ’80. Deri tani jam i kënaqur, por ka probleme për të xhiruar nëpër rrugë…
Ku shtrihen xhirimet?
Kemi xhiruar eksterierë dhe interierë në Tiranë, do të xhirojmë në Vlorë, në Durrës, Kepin e Rodonit, sërish në Tiranë dhe në tetor filmi mund të jetë gati për t’u parë nga publiku shqiptar.
Nxitur nga vrasja e studentes në Qytetin Studenti më 1999
Skenari i “Millenium” është ngjizur qysh 11 vjet më parë, në vitin 2002. Kishin kaluar tre vjet nga vrasja e mistershme e studentes vlonjate në Qytetin Studenti dhe në mendjen e skenaristit dhe regjisorit Besnik Bisha vërtitej pyetja: Përse duhet të vritet një vajzë e re? Ishte kjo ngjarje e mbetur pa autor, që u bë nxitja e një filmi, që sigurisht më tej ndoqi rrugën e një fiksioni të mirëfilltë. Ngjarja që do të trondiste jo vetëm Qytetin Studenti, do të ndodhte më 19 shkurt të vitit 1999. Pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti do të gjendej e masakruar 21-vjeçarja Kozeta Hyseni, studente e Fakultetit të Histori-Filologjisë, dega Letërsi. Një nga pistat e ngjarjes lidhej me funksionin e të atit, asokohe prokuror i Vlorës, çka nuk arriti të vërtetohej, ashtu si edhe pistat e tjera në të cilat u hetua. Edhe sot kjo ngjarje ka mbetur pa autor. Personi që mbrëmjen e 18 shkurtit do të thërriste vajzën poshtë konviktit, ka mbetur pa emër e pa fytyrë. Regjisori Besnik Bisha thotë se filmi nuk tregon historinë e Kozetës dhe çdo ngjasim me histori apo persona realë është një rastësi. Ai nuk ka investiguar mbi këtë ngjarje, por ka ndërtuar një histori nga e para. Por nuk mund të mohohet shkëndija që ka marrë nga kjo ngjarje e rëndë, e cila në vitet në vijim do të pasohej me të tjera vrasje dhe viktima femra, ende të pazbardhura, të mbetura pa autor.
ALMA MILE











