Berluskoni, BE-së: Respektoni paktet ose secili për hesap të vet

Apr 11, 2011 | 9:09

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka paralajmëruar për respektimin e programit të përbashkët europian mbi emigracionin, duke i kujtuar liderëve të tjerë të BE-së që, nëse politikat e përbashkëta duhet t’i respektojë vetëm Italia dhe të tjerët jo, atëherë mbase është më mirë që kushdo të shikojë ligjet e veta. Berluskoni e ka quajtur një “cunam njerëzor” fluksin e emigrantëve të ardhur nga Tunizia, Libia, Eritrea, Somalia e shumë vende të tjerë të Lindjes e Afrikës në Itali. Kërkesa e Kryeministrit italian ishte e qartë: Na ndihmoni të përballemi me emigrantët e paligjshëm. Deklarata e tij u bë nga ishulli Lampeduza, aty ku varkat me emigrantë mbërrijnë çdo ditë duke e bërë disi kaotike situatën në Jugun e vendit. “Problemi i emigracionit duhet të vlejë për të gjithë Europën, dhe nuk po flas vetëm për 25 mijë emigrantët të cilëve ne u kemi ardhur në ndihmë, por për gjithë të tjerët që po vijnë”, tha Berluskoni. Kryeministri italian foli me tone të ashpra duke thënë se nëse Europa nuk gjen një zgjidhje, atëherë secili të vazhdojë politikat e veta. “Mendoj se Kancelarja nuk mund të mos pajtohet se Europa mban përgjegjësi për këtë cunam njerëzor”, tha Berluskoni. Reagimi i tij erdhi pasi Franca dhe Gjermania kritikuan Italinë për dhënien e lejeve të përkohshme për emigrantët, të cilët po “shkelnin shpirtin e Schengen-it”. Franca nuk i ka pranuar emigrantët e paligjshëm, duke marrë në këmbim akuzat e Italisë se po shkel marrëveshjen për hapjen e kufijve. Sot në Bruksel ka një takim për emigracionin.

© Panorama.al

Te lidhura