Berluskoni “grushton” Gedafin, Italia njeh qeverinë rebele

Apr 5, 2011 | 11:20
Ali al-Esaui dhe Franko Fratini, dje në Romë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i ka bërë goditjen e fundit “mikut” të tij, Muamar Gedaf, duke njohur zyrtarisht qeverinë rebele.Kështu, Italia bëhet vendi i dytë në Europë dhe vendi i tretë në botë që njeh zyrtarisht ekzistencën e Këshillit Nacional të rebelëve në Libi. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha dje se Italia do t’i bashkohet Francës dhe Katarit, të cilat kanë hequr njohjen ndërkombëtare ndaj Gedafit, për t’i dhënë një sinjal mbështetjeje miliona libianëve që kërkojnë të jetojnë në një vend demokratik. Deri para trazirave në Libi, Berluskoni ka qenë miku më i ngushtë europian i Gedafit. Ai e ka pritur atë në Itali me nderimet më të larta dhe ka nënshkruar në Libi traktatin e miqësisë mes tyre. Qeveria e Berluskonit ka vendosur të mos u besojë garancive të paraqitura nga një i dërguar i kolonel Gedafit. Ndërkohë, mediat kanë raportuar se Gedafi më në fund do të largohet nga pushteti, duke ia lënë drejtimin e vendit në dorë një Gedafi të ri, djalit të tij, Saif al Islam. Sipas “New York Times”-it, dy nga shtatë djemtë e kolonelit kanë ofruar një plan për largimin e babait të tyre nga pushteti, duke i hapur rrugën tranzicionit në një demokraci kushtetuese, por pa larguar thundrën e familjes prej pushtetit. Plani është treguar nga një zyrtar libian. Muamar Gedafi po qëndron prej 40 vitesh në pushtet dhe për herë të parë këtë vit kanë nisur të intensifikohen lëvizjet kundër tij. Plani i djemve thuhet se është mbështetur edhe nga koloneli 68-vjeçar. Ideja ka qenë e Saifit dhe Saadit, të cilët, sipas “Times”-it, kanë qenë mbështetës të një hapjeje ekonomiko-politike të stilit perëndimor. Dy djemtë e tjerë, Khamis dhe Mutuasim, janë përkrahës të linjës së ashpër të të atit. Khamis drejton brigadën elite militare, e cila shtyp me dhunë e trazirat. Ndërsa Mutuasim është këshilltar për sigurinë kombëtare, ka milicinë e vet dhe shihet si rival i Saifit për pushtetin. Ministri i Jashtëm i Qeverisë Libiane (rebele) të Tranzicionit, Ali al-Esaui, tha dje në Romë se oferta e një qeverie tranzicioni të drejtuar nga një prej djemve të Gedafit është e papranueshme.

Evakuimet e turqve

Një anije turke në bregun e Misratës ka marrë 250 njerëz të plagosur për t’i dërguar ata në spital. Në qytetin Mistrata po zhvillohen prej rreth tri javësh luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave të Gedafit. Anija ka mbërritur nën mbrojtjen e 10 bombarduesve “F-16” dhe parashikohet të mbërrijë në portin turk, ku është ngritur një spital provizor.

Rebelët në Brega

Rebelët libianë kanë avancuar dje në luftimet në qytetin Brega, i cili është një qendër e rëndësishme nafte. Rebelët janë të vendosur të rikthejnë këtë pikë strategjike në dorën e tyre, pas kalimit herë në duart e forcave të Gedafit, e herë të rebelëve. Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në qytetin Uqaila.

© Panorama.al

Te lidhura