Nga Fushë-Kruja dhe Puka, kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë kandidatët e maxhorancës më 8 maj, ndërsa e cilësoi Edi Ramën si shëmbëlltyrë të Ramiz Alisë. Sipas Berishës, kreu i opozitës kalon nga platforma në platformë, duke u përsëritur shqiptarëve shpifjet bajate të Ramiz Alisë, se në Shqipëri ka një milion të papunë. “Dua t’i them shokut Rama se në Shqipëri vërtet ka të papunë, por në kulmin e krizës ekonomike në Shqipëri papunësia u ul në mënyrë të dukshme. Dua t’i them se janë pikërisht energjitë, forca, mendja dhe sakrifica e këtyre qytetarëve që ndërtuan në Shqipëri, brenda një kohe shumë të shkurtër, më shumë vila sesa 650 mijë bunkerë të etërve të tij”, tha Berisha në Fushë-Krujë, ku prezantoi kandidatin Bilal Stafuka. Këtu, kreu i qeverisë premtoi se Fushë-Kruja do të ketë unazën e saj, do të ndërtohet autostrada Fushë-Krujë – Thumanë, do të përfundojë aksi Krujë – Qafë-Shtamë etj. Premtime në infrastrukturë dhe turizëm Berisha bëri edhe në Pukë, ku promovoi kandidatin Beqir Arifaj. Edhe në këtë qytet, kryeministri u është rikthyer akuzave ndaj Ramës, ndërsa ironizoi sloganin e PS-së. “Është një slogan i marrë nga etërit e tyre, por natyrisht nuk ka domethënien që kishte në kohën e Partisë së Punës. Në fakt, emrin e ka gjetur të bukur, se rrugë më të vetme se kjo nuk ka dhe nuk mund të bëhet. Ai, në këtë bindje absolute, do që të realizojë ëndrrën e tij të artë, karrigen e kryeministrit. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar, ai do të mund të mbajë gjithnjë në brez lugën e artë të Bashkisë së Tiranës. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar ju, do të mund të mbajë peshkun e artë të Kryesisë së PS-së”, tha Berisha, ndërsa shtoi se “mëkatet e Ramës nuk i lan as Drini”. Ndalesa e fundit e kryeministrit për dje ka qenë në Fushë-Arrëz, ku prezantoi Alfred Qafën dhe premtoi se qeveria do të përdorë skemat më favorizuese për punësimin dhe nxitjen e investimeve në këtë zonë.











