Berisha u drejton thirrje partive: Shmangni dhunën!

Apr 15, 2011 | 11:03

Kryeministri Berisha u bëri thirrje dje të gjithë forcave politike të vendit, mbështetësve, simpatizantëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në fushatën për zgjedhjet vendore të japin kontribut, duke shmangur çdo akt dhune, fyerjeje apo teprimi. Ai kërkoi që në këtë periudhë fushate të predominojë dialogu, meditimi rreth kandidatëve dhe projekteve të tyre. “Fushata zgjedhore është një moment në të cilin çdo qytetar ka mundësi të japë një kontribut thelbësor në konsolidimin e demokracisë në vendin e tij”, u shpreh kryeministri Berisha, teksa zhvillonte mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave. Duke denoncuar me ashpërsinë më të madhe çdo akt dhune, Berisha përgëzoi forcat e Rendit për punën e tyre, duke e cilësuar atë si “shumë të mirë dhe trajtim profesional të të gjitha rasteve”. Më tej, duke theksuar se koalicioni “Aleanca për qytetarin” është tërësisht i angazhuar në një fushatë të bazuar në virtytet dhe moralin më të mirë qytetar, Kryeministri i ftoi të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e kësaj aleance t’i përmbahen me rigorozitetin më të madh frymës dhe moralit të fushatës. Ai ftoi gjithashtu edhe opozitën që t’u japin mundësi qytetarëve të vlerësojnë garën e kandidatëve dhe alternativave, duke lënë mënjanë pasionet politike. Sipas tij, me këtë fushatë është bërë një hap i madh përpara edhe në parandalimin e përdorimit të burimeve financiare të administratës. Në këtë kontekst, Kryeministri i kërkoi opozitës t’i përmbahet me rigorozitet, në interesin më të mirë, shmangies së çdo burimi financiar në funksion të fushatës, duke pasur mundësi të dëshmojë një qëndrim ndryshe përsa i përket përdorimeve të burimit të pushtetit për fushatë elektorale.

© Panorama.al

Te lidhura