Berisha: Skemat më favorizuese për punësim

Apr 25, 2011 | 12:05

FUSHË ARRËZ- Projekte zhvillimi dhe skemat më favorizuese për punësimin e banorëve ka premtuar kreu i qeverisë, Sali Berisha në Fushë Arrëz, gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Alfred Qafa.

Duke renditur disa nga investimet e bëra në këtë bashki, Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt të tijdhe se do të përdorë skemat më favorizuese për punësimin dhe nxitjen e investimeve në këtë zonë

“Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Do të përdorim skemat më favorizuese. Këtu këto ditë nis punën një fabrikë, manifakturë. Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar biznesmenët e huaj dhe shqiptarë që të vijnë e të investojnë në qytetin tuaj. Këtu do të kenë të gjitha kushtet, njerëz punëtorë, njerëz të përkushtuar, njerëz që kanë traditë mrekullueshme punën. Ne do të bëjmë çdo gjë që pasuritë tuaja të mëdha t’i shndërrojmë në vlera për ju”- tha ai.

Berisha ka premtuar se qeveria do të bëj gjithçka për shfrytëzimin e pasurive të zonës. Ai kujtoi se janë investuar mbi 800 milionë lekë nga kompani të mëdha për minierat tuaja dhe shumë më tepër do të bëhen në vitet që vijnë. “Ne do të ndërtojmë infrastrukturën në të gjitha zonat tuaja, do të ndërtojmë rrugën e Iballës, do të lidhim të gjitha fshatrat me aksin kombëtar, duke bërë që qytetarët shqiptarë e të huaj të njihen me Pukën, me bukuritë mahnitëse të rrethit tuaj”- tha ai.

Duke ftuar banorët të votojnë “Aleancën për qytetarin”, Berisha e cilësoi 8 majin një ditë feste te vërtetë për demokracinë. “Më 8 maj ju firmosni për projektet që do të ndërtohet në katër vitet që vijnë në Fushë Arrëz e në mbarë Pukën”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura