Berisha: Nuk merrem me mëkatet e Ramës

Apr 22, 2011 | 15:49

MAMURRAS- Kryeministri Sali Berisha prezantoi sot kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të bashkisë së Mamurrasit, Ilir Pjetri, duke premtuar vazhdim të projekteve për zhvillimin e zonës dhe reforma për integrimin e vendit në BE.

Duke vlerësuar zotin Ilir Pjetri për përkushtimin dhe dashurinë për qytetin tij,  kryeministri garantoi qytetarët e Mamurrasit se në katër vitet që vijnë do të pesëfishohen investimet në bashkinë e Mamurrasit. “Kjo është alternativa jonë, alternativë, në të cilën ne sëbashku, jo pa vuajtje e sakrifica, ia kemi dalë të shndërrojmë në realitet, si dritën e diellit, ëndrrat më të bukura të kombit tonë, ëndrrat më të bukura të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, Shqipërinë turistike, dyfishimin e rrogave e pensioneve, rrugën e kombit, veprën më të madhe publike, në tërë historinë kombëtare”- tha Berisha.

Kryeministri theksoi se në këtë fushatë nuk ka ndër mend të merret me fushatën e sharjeve dhe shpifjeve të rivalit të tij socialist, Rama, pasi për qeverinë që drejton i pari është qytetari.

“Do t’i them këtu, para jush, se në këtë fushatë nuk kam ndërmend të merrem aspak me fjalorin tënd, as me mëkatet e tua që nuk ka lumë që i lan, do të merrem vetem me hallet, dertet, projektet, përkushtimin, vizionin tuaj. Për mua ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Mamurrasi është i pari, Kurbini është i pari, Shqipëria është e para”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura