Pas raportit të Bankës Botërore, ku regjistrimi i pronave kritikohej ashpër, dje Berisha mblodhi për herë të parë Task-Forcën për Regjistrin Themelor të Tokës. Kjo Task-Force ka si objekt pune ndjekjen e Implementimit të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP), me Bankën Botërore, për komponentin “A”, “Siguria e pronësisë dhe të drejtat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Berisha theksoi se, pas Regjistrit të Gjendjes Civile, Regjistri Themelor i Tokës është regjistri më kryesor i vendit dhe se ai duhet të përfundojë brenda vitit 2012. “Regjistri Themelor i Tokës është përparësia numër një e qeverisë. Ne duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit”. Kryeministri kërkoi angazhimin maksimal të Task-Forcës dhe strukturave të përfshira në këtë proces për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të sistemit dixhital të regjistrimit të të dhënave. Task-Forca për Regjistrin Themelor të Tokës do të mblidhet në mënyrë periodike për të marrë në shqyrtim çështje të ndryshme që lidhen me sistemin dixhital të regjistrimit të të dhënave dhe futjen në këtë regjistër të të gjitha të dhënave dhe kartelave përkatëse për regjistrimin e tokës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të pavarura shtetërore dhe të specialistëve të fushës.











