Nga Kukësi, ku mbështeti rikandidimin e Hasan Halilit si kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar bashkie, kryeministri Berisha deklaroi se ky qytet do të ketë parkun e tij industrial dhe mjaft investime të tjera që do të nxisin punësimin dhe investimet. “Shqipëria do të bëhet superfuqi energjetike në rajon. Do të jetë kryevendi i energjisë së gjelbër në rajon”, tha Berisha, duke e ftuar më pas liderin e opozitës, Edi Rama, që t’u paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, dhe jo atë të sharjeve. “E ftoj zotin Rama, si drejtues i një force politike të rëndësishme, t’u paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, sepse sharjet, shpifjet, trillimet, shqiptarët, si çdo komb tjetër i qytetëruar, kanë për to kazanin, kazanin dhe vetëm kazanin”, theksoi ai. Ndërkaq, alternativat e Ramës, Berisha i ka cilësuar si vijim të veprave të diktatorit mizor, të cilën po e qarkullon nëpër Shqipëri kryetari i PS-së. “Pavarësisht se e ka marrë nga veprat e babës të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, dua t’i them këtu se kurrë ndonjëherë më ato kohëra nuk kthehen. Ajo alternativë, përveç anës së të shkuarës së zezë, ka rikthyer anën tjetër të medaljes, të sharjes, të shpifjeve, të trillimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin e qytetarëve të lirë, me moralin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha. Me premtime për investime në infrastrukturë, Berisha u ndal dje edhe në bashkinë e Krumës, ku promovoi kandidatin e maxhorancës, Bardhyl Peka. Në kthim, lideri demokrat vijoi dy prezantimet e radhës në Mirditë. Ai dha mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen, Gjon Deda dhe në Rubik, Mark Ruçi, si dhe i garantoi mirditorët se qeveria do të shumëfishojë investimet dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij.
Mediu: PS, peng i interesave të ngushtë
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim në qytetin e Patosit, ku u bëri thirrje simpatizantëve të votojnë kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”. “Hapësira shqiptare është e bekuar nga Zoti. Këtë bujari hyjnore duhet ta ruajmë me besnikëri e ta zhvillojmë me urtësi. Për veten dhe për brezat që do vijnë. Por nëse kthejmë kokën mbrapa dhe kujtojmë vështirësitë që kanë shoqëruar këto arritje, për fat të keq vërejmë se opozita shpeshherë nuk arriti të dale mbi interesat e saj të ngushta politike, duke mos arritur t’i bashkohet vizionit dhe angazhimit tonë për një Shqipëri Europiane”, tha Mediu. Sipas tij “aq më keq duke krijuar pengesa në rrugën tonë, e duke hedhur poshtë dhe përbaltur punën dhe kontributin e mijëra socialistëve, të cilët kanë të njëjtin qëllim si të gjithë ne, të socialistëve që asnjëherë nuk vunë në dyshim ëndrrën e tyre europiane”.











